Tanku i vendosur afër stadiumit 'Marakana' - Foto: FK Crvena Zvezda

Cërvena Zvezda vendos tank afër stadiumit, zemëron Kroacinë

Pati menjëherë polemika pasi një tank i çmontuar T-55 u vendos në afërsi të pjesës veriore të stadiumit të futbollit të Cërvena Zvezda në Beograd të hënën, me kritikët në Kroaci që akuzuan klubin se po festonte “agresionin” serb gjatë luftërave që shpërtheu ndërsa Jugosllavia u shpërbë në vitet 1990.

Klubi postoi foto të tankut në Facebook të hënën me komentin: “Tani Marakana (stadiumi i Cërvena Zvezdës) ka një atraksion tjetër.”

Të hënën në mbrëmje, gazetat serbe “Vecernje novosti” dhe “Telegraf” raportuan se tanku ishte “nga Vukovar”, një qytet kroat që u rrethua dhe u shkatërrua nga forcat e Beogradit në 1991.

Referenca për Vukovarin u hoq më vonë, por provokoi reagime të zemëruara nga Kroacia.

Gazeta kroate “Jutarnji list” publikoi një koment pa autor që e quajti instalimin e tankut “një provokim i keq nga Beogradi” dhe “vazhdim i festimit të agresionit kundër vendeve fqinje”.

Tanku i vendosur afër stadiumit ‘Marakana’ – Foto: FK Crvena Zvezda

Kritikët i kanë kushtuar gjithashtu vëmendje rolit të tifozëve të Cërvena Zvezdës të Beogradit në ngjarjet që çuan në luftërat e viteve 1990 në Jugosllavi, dhe përfshirjen e disa prej tyre si paramilitarë gjatë luftimeve.

Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq insistoi të martën se tanku ishte thjesht një model.

“Duhet t’ju them se nuk është një tank. Pra, ky është një model i një tanku, diçka që i ngjan një tanku, ka zinxhirë dhe një lloj modeli arme me frëngji që i është ndërtuar. Kështu që nuk është tank,” tha Stefanoviç në një konferencë për shtyp.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Milan Gujanica, një major në Ushtrinë Serbe, dha një shpjegim paksa të ndryshëm, duke thënë se automjeti ushtarak ishte çmontuar plotësisht.

“Të gjithë elementët e tankut për të shtënë me armë apo predha u hoqën ose çaktivizuan. Tanku nuk ka motor dhe transmision, arma është shkrirë dhe pajisjet e shikimit dhe optike janë hequr. Në gjendjen e tij aktuale, tanku i ekspozuar është një model dhe një ekspozitë muze,” shpjegoi Gujanica në një video të ofruar nga Ministria e Mbrojtjes.

Gujanica tha gjithashtu se tanku nuk është pronë e ministrisë apo Ushtrisë Serbe.

Tanku i vendosur afër stadiumit ‘Marakana’ – Foto: FK Crvena Zvezda

Në korrik 2018, media raportoi se Ministria e Mbrojtjes kishte shitur 29 tanke të vjetra.

Cërvena Zvezda e Beogradit nuk ka lëshuar asnjë deklaratë zyrtare që prej shpërthimit të polemikës, por gazetari kroat Vibor Vlainiç tha se klubi iu përgjigj stacionit televiziv kroat “Nova”.

“Ai automjet nuk është nga Vukovari. Është një tank i përdorur i blerë në një varrezë makinash ushtarake në jug të Serbisë. Automjeti nuk ka një motor dhe nuk është funksional në asnjë kuptim,” shkroi Vlainiç në Twitter, duke raportuar se çfarë i tha klubi “Nova TV”.

Tifozët e Cërvena Zvezdës, një nga dy klubet më të mëdha të futbollit në Serbi, shihen se kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ngjarjet që çuan në shpërthimin e armiqësive në ish-Jugosllavi.

Tanku i vendosur afër stadiumit ‘Marakana’ – Foto: FK Crvena Zvezda

Në maj 1990, dhuna masive shpërtheu në kryeqytetin kroat midis tifozëve të Zvezdës dhe të Dinamos së Zagrebit jo shumë kohë pas zgjedhjeve në të cilat u zgjodhën kandidatë që favorizonin pavarësinë kroate. Luftimet u panë gjerësisht si një prelud i luftës që filloi vitin e ardhshëm.

Në mesin e atyre të përfshirë në dhunën nga ana e Cërvena Zvezdës ishte Zhelko Razhnatoviq – Arkani, të cilin mediat shpesh e përshkruanin si “udhëheqësin e tifozëve”.

Njësia famëkeqe paramilitare e Arkanit, Tigrat, e cila ishte e përfshirë në krime lufte, raportohet se ka rekrutuar disa tifozë për të luftuar në radhët e saj.

Polemikat mbi tankun në stadium pasojnë një tjetër incident në të cilin tifozët e klubit të basketbollit Cërvena Zvezda shpalosën një banderolë me një imazh të një tanku gjatë një ndeshje me Panathinaikosin në Athinë në janar 2017.

Nën banderolë ishte një më e vogël me fjalën “Vukovar” në të.