Çerdhja publike në Fushë Kosovë nuk hapet, punëtorja dyshohet për coronavirus
Një punëtore e çerdhes publike “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë po dyshohet se është me COVID-19.
Për këtë arsye, kjo komunë ka bërë të ditur se çerdhja publike nuk do të hapet.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani.
“Çerdhja është publike dhe nuk do të hapet për shkak të dyshimit se e ka një familje me COVID-19. Ajo e ka vajzën me dhëndër dhe me tre fëmijë me coronavirus, janë identifikuar dhe ajo ka nejtë me atë familje disa herë”, tha Shabani.
“Janë afër me banesa dhe ne po dyshojmë shumë se ajo do të del pozitiv dhe ne po frikësohemi që edhe [punëtorja] jonë ka ndejt me disa tjerë dhe ka pas kontakt me shoqe të veta dhe nuk guxojmë me hap”, ka shtuar ai.
Për testimin e saj, ai ka shtuar se kanë bërë kërkesë në IKShPK.
“Nuk është testuar ende, por e kemi qu propozimin me testu dhe besoj që IKShPK do të merret me këtë çështje”, tha më tej Shabani.
Qeveria në detyrë, ditën e diel kishte marrë vendim që të hapen çerdhet dhe institucionet parashkollore në vend.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kishte bërë të ditur se vendimi është bazuar në një udhëzim të UNICEF.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të MAShTI-it për të marrë sqarime nëse në planin e hapjes së këtyre instuticioneve është paraparë testimi i edukatorëve.