Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com
Çerdhen në Milloshevë do ta përurojnë sot, inventari i saj pritet të kompletohet në muajt në vazhdim
Në lidhje me përurimin e Çerdhes në fshatin Milloshevë të Obiliqit që do ta bëjë sot, më 10.01.2025, Ministria e Arsimit, ata thonë se presin që inventari i Çerdhes të kompletohet brenda muajve në vazhdim.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha për KALLXO.com, më 09.01.2025, se do të marrë pjesë në përurimin e Çerdhes në Milloshevë, por ajo nuk ka inventar.
Edhe pse nuk ka inventar, sipas Gashit, Ministria e Arsimit ka kërkuar të bëhet përurimi i Çerdhes të premten, më 10.01.2025.
Në përgjigjen për KALLXO.com, Ministria e Arsimit arsyetohet se Operatori Ekonomik për furnizimin e Çerdheve me inventar ka qenë i njoftuar që furnizimin me inventar ta bëjë nga muaji janar 2025.
“Duke qenë se objekti ka përfunduar në muajin dhjetor dhe procedurat e pranimit të punëve dhe pastrimit të objektit marrin kohë, si dhe pushimet e fundvitit, OE (Operatori Ekonomik) ka filluar me furnizim dhe presim që inventari të kompletohet brenda muajve në vazhdim.” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.
Ministria e Arsimit thotë se punimet dhe pranimi teknik në ndërtimin e Çerdhes në Milloshevë, kanë përfunduar teknikisht në muajin dhjetor 2024.
Sipas përgjigjes së tyre, pranimin teknik e kanë kryer inxhinierët e fushave përkatëse të kompanisë, që ka ofruar shërbime profesionale në ndërtimin e Çerdhes, më 20.12.2024.
Ministria ka shtuar se vlera investive e këtij projekti ka vlerën prej 569,569.56 euro dhe Kontrata është nënshkruar më 28.09.2023, në kohëzgjatje prej 36 muajve.
Kurse, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se sipas informacioneve që kanë ndërtimi i Çerdhes është kryer.
“Inventari pritet me ardhë hala, po Çerdhja është ndërtu. Stafin e (Çerdhes) e kena përzgjedhë.” – ka thënë Gashi, më 09.01.2025.
Inventari i Çerdhes në Milloshevë, sipas Gashit, është detyrë e Ministrisë së Arsimit.
Kur u pyet se përderisa nuk e ka inventarin, kur pritet të hapet Çerdhja në Milloshevë, Gashi tha se kurdo që vjen inventari janë të gatshëm ta hapin.
Gashi ka treguar se Çerdhja është ndërtuar nga bashkëpunimi i Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Obiliqit. Sipas tij, nga viti 2022 kanë kërkuar në Ministri, që të ndërtohet kjo Çerdhe.
“Më 2022 nuk janë marrë parasysh. Më 2023 është aprovu, si duket në pamundësi të kërkesave që ata i kanë pasë të shumta për ndërtim të Çerdheve. Edhe ma në fund është aprovu kërkesa jonë, pas shumë insistimeve që ne i kemi adresuar. Është e domosdoshme për komunitetin në atë zonë.” – ka thënë Gashi.
Në anën tjetër, KALLXO.com raportoi më 08.01.2025 se si ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 08.01.2025 e anuloi përurimin e Shkollës Fillore e të Mesme të Ulët “Halil Alidema”, në fshatin Pozharan të Vitisë dhe atë të Çerdhes në fshatin Dobresh.
Përurimi i Shkollës dhe Çerdhes u anulua, pasi që të dyja fillimisht nuk kishin përfunduar: as pranimi teknik, madje kishte ende punë për t’u kryer brenda dhe jashtë objekteve arsimore.
Çerdhja në fshatin Dobresh ishte e mbyllur dhe ekipi i KALLXO.com nuk pati qasje në të, por që nga jashtë vërehej se ende nuk është funksionalizuar në tërësi objekti. E, madje as nuk është rekrutuar stafi.
Në Shkollën “Halil Alidema” inventari shkollor është parë në klasat e shkollës. Hapësira brenda ka përfunduar. Ende nuk është bërë pranimi teknik, ndërsa ekipi i KALLXO.com në terren ka parë edhe punëtorët e Kompanisë së kontraktuar, derisa rregullonin shkallët emergjente të Shkollës.
KALLXO.com ka intervistuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në lidhje me këtë çështje.
Ai i tha ekipit se kishte pranuar një njoftim me e-mail në lidhje me përurimin e objekteve, ndërsa kishte refuzuar të merrte pjesë në përurim për shkak të mospërfundimit të procedurave për hapjen e këtyre institucioneve shkollore.
“Unë e kam kuptuar pardje, më 06.01.2024. Me e-mail na është dërguar pak para orës 16:00, edhe pse dje nuk është punu, ka qenë ditë feste. Me u përgatit përurimi i Shkollës në Pozharan dhe Çerdhes në Dobresh.” – tregoi kryetari Haliti.
Ai shtoi se asnjëri nga këto dy objekte nuk i kanë të përfunduara procedurat ligjore.
Në një përgjigje përmes e-mail-it, MASHTI ka thënë se me Ligjin e ri të Prokurimit, pranim teknik nuk ka më nga ana e investitorit dhe këtë e bën Komuna.
“Investitori i kësaj Çerdheje (në këtë rast MASHTI) i dorëzon Komunës ose DKA-së së Komunës përkatëse certifikimin e përfundimit të punimeve, me ç’rast përfundojnë obligimet e investitorit. Pikërisht kjo ka ndodhur në Drobesh dhe ajo Çerdhe mund të inaugurohet nga dita e sotme.” – thuhet në përgjigjet e MASHTI-t.
Ndërsa, sa i përket Shkollës në Pozharan investitor ka qenë MPBAP dhe sipas MASHTI-t kanë pasur informacione që çdo gjë është gati.
“Në koordinim me Kryetarin e Komunës është vendosur që të anulohen inaugurimet, deri në një njoftim të ardhshëm. Sa për sqarim, tash e 6 vjet nxënësit e kësaj Shkolle kanë mësuar me orar të shkurtuar, andaj është shumë e rëndësishme që ky objekt po përfundohet dhe nxënësit nuk do të mbajnë më orën 25 minuta – siç ka ndodhur tash e disa vite.” – përfundon përgjigjja e MASHTI-t.