Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Celina nuk i bashkohet Kosovës, Sahiti ftohet për herë të parë për ndeshjet e muajit mars

Kombëtarja e Kosovës pritet që në këtë muaj të zhvillojë dy ndeshje miqësore. Fillimisht Kosova do të përballet më 24 mars kundër Burkina Fasos në Prishtinë, ndërsa pesë ditë më vonë më 29 mars do të udhëtojë në Zvicër për t`u përballur me kombëtaren e Zvicrës.

Trajneri i Kosovës, Alain Gireese ende nuk e ka bërë publike listën e të ftuarve për këto dy ndeshje mirëpo tashmë është bërë publike që Besart Celina dhe Emir Sahiti kanë konfirmuar mospjesëmarrjen dhe pjesëmarrjen e tyre.

Besart Celina që aktivizohet për Ipswich Town nuk do të jetë pjesë e Dardanëve për dy ndeshjet miqësore. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri i tij.

“Mendoj se ai ka pasur njëfarë komunikimi me federatën dhe e bëri të qartë se ai me të vërtetë dëshiron të qëndrojë javën e ardhshme dhe dëshiron të përfshihet në disa ndeshje të rëndësishme që ne kemi. Siç e kuptoj unë, ai do të qëndrojë me ne dhe do të jetë i disponueshëm gjatë dy javëve të ardhshme”, thotë trajneri i Ipswichit.

Ndërsa klubi i Emir Sahitit, Hajduk Split e ka konfirmuar pjesëmarrjen e Sahitit në dy ndeshjet miqësore të Kosovës.

“Emir Sahiti është ftuar për herë të parë në Kombëtaren A të Kosovës, e cila në pushimin e kampionatit luan dy ndeshje miqësore” thuhet në faqën zyrtare të klubit kroat Hajduk Split.