Gjiri i Vlorës/ Foto: Valon Fana, KALLXO.com

Çelet sezoni turistik në Vlorë

Jugu i Shqipërisë është gjithmonë një zgjedhje e mirë për t’i kaluar pushimet. Rreth gjashtë orë udhëtim me autobus nga Kosova të duhen për të arritur në qytetin bregdetar Vlorë. Vendi në të cilin puthiten deti Adriatik me atë Jon ka një gjatësi të përgjithshme të vijës bregdetare prej rreth 90 kilometra, nga grykëderdhja e Vjosës e deri në Karaburun.

Teksa eksploron plazhin, syri të kap ujin kristal të pastër e plazhet me rërë e me gurë. Përendimet e diellit, gjithashtu, janë ndër më të bukurat në bregdetin shqiptar.

Perëndimi i diellit në Gjirin e Vlorës/ Foto: Valon Fana, KALLXO.com

Vlora si qytet bregdetar karakterizohet edhe për potencialin turistik pasi ka dalje direkte në det, e gjithashtu ka pasuri natyrore, ujore, klimatike, historike, kulturore e ekonomike.

Sivjet janë bërë të gjitha përgatitjet që të mirëpriten turistët që vendosin të pushojnë në qytetin jugor të Shqipërisë.

Dritan Leli, kryetar i Bashkisë së Vlorës, thotë se një paketë e mirë turistike është në dispozicion për të gjithë ata që i drejtohen jugut të Shqipërisë për pushime. 

Leli përveç se thekson që Vlora është një atraksion turistik, ai thotë se karakteristikë e vlonjatëve është edhe mikpritja, një vyrtyt i shqiptarëve.

“Vlora tashmë është destinacion i plotësuar në paketën turistike që Shqipëria ofron, që trevat shqiptare në këto anë të bjeshkëve dhe matanë bjeshkëve në Kosovë mund të ftojnë për vizitorët. Ajo që është karakteristikë e Vlorës është mikpritja. I ftoj të gjithë të jenë këtë vit në Vlorë dhe të mos tremben aspak dhe mos të bien në atë lojën e shifrave”, thotë Leli.

I pari i Bashkisë së Vlorës përmend disa prej destinacioneve që turistët duhet të vizitojnë nëse zgjedhin këtë qytet për të kaluar pushimet verore.

“Unë ftoj këdo që të vijë të vizitojë këtë qytet të mrekullueshëm. Pikërisht këtu, pak më tutje është vendi ku bashkohet Adriatiku me Jonin, pastaj është kalaja e Kaninës me pafund histori, maja e Llogarasë, Laguna e Zvërnecit, manastiri në Lagunë, plazhi fantastik aty. Deti me ato plazhet me rërë me gurë e plazhet me rërë të kuqe janë të gjitha një paketë turistike e natyrës”, shpjegon Leli.

Leli, me rastin e hapjes së sezonit turistik, me theks të veçantë u bën thirrje qytetarëve nga Kosova që të zgjedhin Vlorën si destinacion për pushime.

Si kryetar bashkie, Leli thotë se ishte zgjedhur për herë të parë para shtatë vitesh. Ndërsa, tregon se për të bërë një vend atraktiv Vlorën për pushuesit, punoi në infrastruklurën e qytetit.

“Asgjë nuk ndodhi për një ditë dhe mendoj që nuk ka përfunduar me kaq. Projektet infrastrukturore kanë mbërritur deri në zonën e tunelit dhe do të vazhdojnë deri në muajt në vazhdim, drejt Orikumit, projekt i cili do të lirojë të gjitha plazhet dhe hapësirat publike dhe do të krijojë akses për të gjithë vizitorët”, shprehet Leli.

Situata në Evropë u trazua nga lufta në Ukrainë për shkak të agresionit rus ndaj shtetit ukrainas, ku nga kjo pasoi edhe rritja e çmimeve të produkteve esenciale duke shkuar deri tek ajo e derivateve.

Megjithatë, Leli tha se shpreson që çmimet të mos jenë të papërballueshme pavarësisht flukseve të njerëzve duke shtuar se sipas gjykimit të tij është vrastare të shfrytëzohen situata të tilla për të rritur çmimet.

“Ofertat turistike që bizneset e hotelerisë që ofrojnë për të gjithë qytetarët që zgjedhin Vlorën, unë shpresoj dhe uroj fort që të mos jenë me çmime nganjëherë të papërballueshme pavarësisht flukseve, por duhet të jenë në çmime të logjikshme për të pasur zhvillim të qëndrueshëm të turizmit”, tha ai.

“Është vrastare që në gjykimin tim, të shfrytëzojmë situata që krijohen në pamundësi të lëvizjes dhe problematikave të tjera për të shitur shumë shtrenjtë, ndërkohë që mund të shesim në mënyrë korrekte dhe në mënyrë të logjikshme, pavarësisht se çmimet e produkteve kanë ndryshuar”, shton kryetari i bashkisë së Vlorës.

Tutje, Dritan Leli siguron se pasi ka komunikim të mirë me përfaqësues të hotelierëve, do të kujdesen që të jenë ofertues me çmime të arsyeshme.

“Jam i prirur që me komunikimin e përhershëm që kam me përfaqësuesit e hoteleve dhe restoranteve në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës, të kujdesemi për të qenë ofertues të standardit me çmim të arsyeshëm. Ajo që duhet të shesim është ajo që ne kemi me shumicë e që është dashuria për njëri-tjetrin”, përfundon Leli.

Konferenca e kryetarit të Bashkisë në Vlorë, Dritan Leli/ Foto: Valon Fana, KALLXO.com

Gjiri i Vlorës karakterizohet me shumë bukuri natyrore që mbase të duhet një kohë më e gjatë se një pushim veror t’i eksplorosh.

Kështu thotë edhe vetë Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Ilva Palmieri, e cila u shpreh se edhe pse ka dy vite që është në Vlorë, nuk ka mundur që t’i njohë të gjitha bukuritë natyrore.

“Unë jo vetëm si përfaqësuese e shtetit italian por edhe si qytetare italiane që jetoj matanë Adriatikut, dua të njoh që ky vend dhe ky rajon ka një potencial shumë të madh për turizmin. Ashtu siç po bisedoja më parë me miqtë e mi nga Milano, ka këtu në Vlorë vende shumë të bukura që personalisht edhe pse jam këtu prej dy vitesh e gjysmë, nuk kam patur mundësi që t’i njoh”, thotë Palmieri.

Ajo shton se Vlora është një rajon që ka potencial të madh sa i përket zhvillimit të turizmit.

“Ky është një rajon që ka potencial shumë të madh për sa i përket zhvillimit të turizmit. Sigurisht që ka shumë për t’u bërë sa i përket pjesës së formacionit të shërbimit. Do të jetë një eksperiencë shumë e mirë për të rinjtë që vijnë të punojnë këtu dhe të promovojnë turizmin e kësaj zone”, thekson Palmieri.

Trendi i kosovarëve që fundjavën të kalojnë në bregdet është një ‘fenomen’ në rritje. Menaxheri i kompanisë “Barileva Turist”, Petrit Riza, tregoi se vizitorët nga Kosova kanë kontribuar në bregdetin shqiptar.

“Problemi është sezona. Fati dhe rëndësia e kosovarëve i cili ka kontribu në bregdetin shqiptar është se ne e kemi rritë sezonën me këto fundjavat. Kemi fillu prej majit më pas vazhdojmë shtator e tetor dhe nuk është vetëm sezona e verës kur vijmë për pushime verore por janë edhe atraksionet turistike”, shprehet Riza.

Ndërkaq, themeluesi i platformës “TripToAlbania”, Azem Bujupi tha se vështirësia gjatë sezonit turistik është mungesa e fuqisë punëtore.

“Të gjitha bizneset në vijën bregdetare të Shqipërisë kanë vështirësi serioze në fuqi punëtore. Ju bëj ftesë që secilit të interesohet të gjejë veten e vet për një eksperiencë më të mirë, për një edukatë pune ndryshe dhe pse jo të shijojë edhe bregdetin shqiptar”, shpjegoi Bujupi.

Bujupi gjithashtu tha se qëllimi i tij është që të bëjë promovimin e turizmit në nivel nacional.

Plazhi vjetër, ai i Radhimës, ishujt e Zvërnecit, Kalaja e Kaninës dhe Muzeu Nacional i Pavarësisë janë disa nga lokacionet që u rekomandohen turistëve t’i vizitojnë nëse vendosin që pushimet verore t’i kalojnë në Vlorë.

Plazhi me rërë në Vlorë/ Foto: Valon Fana, KALLXO.com