Çeku: Vetëm me një projekt do të harxhonim më shumë sesa komplet pagesa e ekspertit për dy vjet

5 mijë e 560 euro do të jetë mesatarisht pagesa në muaj për Visar Salihun, i cili ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Salihu për këto dy vite do të marrë gjithsej 133 mijë e 440 euro për shërbimet që ai do të kryejë si menaxher i lartë i portofoleve – analist i lartë i politikave.

Lidhur me këtë rast ministri Hajrulla Çeku në emisionin “Kallxo Përnime” ka dhënë një shpjegim.

Sipas Çekut, vetëm me një projekt, Ministria do të kursejë më shumë sesa do të paguhet Salihu në dy vitet e ardhshme.

Çeku ka bërë një analizë gjatë emisionit, ku ka marrë si shembull projektin për Teatrin e Operës dhe Baletit (TOB), për të cilin ka thënë se kostoja e gjithë projektit mund të kalojë 50 milionë euro.

Për këtë projekt, sipas ministrit, deri më tani janë ndarë nga ana e Qeverisë së Kosovës 2.5 milionë euro.

“Na tash në Qeveri i kemi nda 2.5 milionë euro veç për projektin se është konkurs ndërkombëtar, duhet me u hartu me kujdes” – shprehet ministri i Kulturës.

Ai tutje shpjegon se për të menaxhuar procesin e një konkursi ndërkombëtar ka kompani apo organizata që këtë shërbim e ofrojnë për 5 deri në 7 për qind të vlerës totale të projektit.

“Për një projekt që kushton 2.5 milionë euro, për 5 deri në 7 për qind është 125 mijë deri në 175 mijë. Kontrata e këtij (Salihut) është 133 mijë, pra me një proces na kishin harxhu më shumë pare, vetëm me projektin e Teatrit të Operas ne kishim harxhu më shumë sesa komplet dy vjet që e pagujmë këtë konsulent” – thotë Çeku.

Ministri shton se konsulenti Salihu gjatë dy vjetëve që do të ofrojë shërbime për Ministrinë e Kulturës do të merret edhe me shumë projekte dhe procese të tjera, e jo vetëm më atë të TOB-it.

Tutje, ministri gjatë intervistës së tij përmend edhe një projekt tjetër që e cilëson ‘shumë problematik’.

Është pishina olimipike në Prizren vlera totale e kontratës, sipas ministrit, është 2.5 milionë euro, por që Çeku thotë se ka dështuar.

“Ka fillu në vitin 2018, 1.4 milionë euro kanë hy aty, ka dështu ai projekt. E unë çka po thanë është që nuk guxojmë me pas gabime të tilla” – thotë ministri gjatë kohës kur shpjegon pse Salihu do të paguhet mbi 5 mijë euro në muaj.

Për këtë të fundit, Çeku tregon se një prej detyrave që ka është që të punojë me të gjitha departamentet e Ministrisë.

“Duke i bërë këto punë ai duhet me i ngritë edhe kapacitetet e stafit të Ministrisë, e dyta gjatë këtyre dy viteve ne duhet me vazhdu me rekrutu staf për Ministri, edhe konsulentë të tjerë” – thotë ministri.

Ai madje tregon se nëse pas dy viteve do të jenë të kënaqur me shërbimet e Salihut ndoshta do të kërkojnë që të vazhdojë tutje punën në këtë Ministri, pasi sipas Çekut “nuk bëhet kiameti” nëse Salihu vazhdon të punojë aty, ani pse pagesa aktuale që ai merr është 5 mijë e 560 euro.

Visar Salihu, i cili e ka fituar kontratën e MKRS-së përmes tenderit në një garë që nuk kishte asnjë konkurrent, do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës.

Eksperti i angazhuar nga Ministria që drejtohet nga Çeku i Vetëvendosjes do të ketë pagë dukshëm më të madhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Paga e tij është 3.7 herë më e madhe se e kryeministrit, apo çdo muaj do të marrë nga 4 mijë e 60 euro më shumë eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës.

Salihu, në dy vitet e ardhshme, do të marrë 97 mijë e 440 euro më shumë sesa kryeministri Albin Kurti.

Eksperti i angazhuar nga Ministria e Kulturës, që do të ketë pagën 11 herë më të madhe se një mesimdhënës, nuk ka dashur të japë detaje për punën që ai do të bëjë në këtë dikaster qeveritar.

“Unë nuk mund të jap informata të tilla, drejtohuni te autoritetet, të gjitha detyrat që janë të përshkruara në kontratë jam i obliguar që t’i kryej” – kishte thënë shkurt Salihu në një bisedë përmes telefonit për KALLXO.com.

Nga Ministria e Kulturës patën thënë se Visar Salihu i angazhuar si analist i lartë i politikave do të ofrojë shërbime profesionale, sipas kërkesës në reformim, zhvillim dhe menaxhim të politikave, programeve e projekteve në kuadër të dikastereve të ndryshme, e të tjera.