Çeku për Muzeun e Muzikës në Gjakovë: MKRS e ka përfshirë këtë monument në kuadër të masave emergjente

Përgjatë seancës së Kuvendit ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku është pyetur rreth gjendjes së Muzeut të Muzikës në Komunën e Gjakovës dhe hapave të mëtutjeshëm për këtë muze.

Teksa Çeku i ka komentuar pamjet e degradimit të muzeut duke i quajtur si “aspak të mira” ai ka treguar se Ministria e Kulturës në kuadër të programit të masave emergjente ka përfshirë edhe këtë monument për vitin 2023 dhe ka thënë se ky proces do të zhvillohet në dy faza.

“Faza e parë është hartimi i planit të ndërhyrjeve emergjente, pra i projektit, dhe e dyta: zbatimi i këtyre ndërhyrjeve. Pra, gjatë vitit presim ndërhyrje konsoliduese në këtë monument tashmë mjaft të degraduar” – ka thënë ministri teksa ka përmendur se janë në koordinim me komunën e Gjakovës.

“Sa i përket menaxhimit dhe pyetjeve që lidhen me menaxhimin, institucionet tona vartëse janë në koordinim me institucionin lokal, në komunën e Gjakovës në mënyrë që dhënia në shfrytëzim dhe menaxhimi i këtij aseti të bëhet në bazë të kritereve specifike që do të sigurojnë mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij monumenti” – ka shtuar ai.

Teksa ministri Çeku ka theksuar se Muzeu i Muzikës është në pronësi dhe menaxhim të komunës së Gjakovës ka thënë se kjo ministri ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre, përfshirë fondin për ndërhyrje por edhe kapacitetet profesionale që përmes Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (QRTK) të Gjakovës ta asistojnë komunën e Gjakovës në procesion e dhënies në shfrytëzim dhe menaxhim të këtij muzeu.

“Shpresoj shumë që këtë herë në mënyrë të koordinuar dhe jo vetë komuna siç ka vepruar në të kaluarën do ta arrijmë rezultatin e dëshiruar. Një, ta konsolidojmë strukturalisht monumentin, pra ta mbrojmë, t’ia mbrojmë vlerat. E dyta, kushdo që do të jetë shfrytëzuesi dhe menaxhuesi duhet ta bëjë atë në mënyrë të kontrolluar dhe monitoruar edhe nga komuna por edhe nga QRTK Gjakova” – përmbylli ministri.

KALLXO.com ka raportuar për degradimin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë.

Përgjatë së mërkurës së 25 janarit KALLXO.com ka qëndruar në këtë objekt prej ku ka siguruar pamje nga gjendje në të cilën ai gjendet.

Një piano e shkatërruar, përreth së cilës gjenden grumbuj mbeturinash dhe muret e mbushura me mbishkrime janë pamja që e ka kapluar objektin brenda të cilit gjendet Muzeu i Muzikës në Gjakovë, i cili tashmë ka mbetur një hapësirë e vandalizuar dhe e boshatisur.

Problemet nuk mungojnë as jashtë këtij ku muzeu ku që në pamje të parë bien në sy pjesët e hequra nëpër shkallët metalike të cilave u ka mbetur vetëm skeleti, e një gjë e tillë pamundëson edhe ngjitjen deri në katin e dytë ku gjendet edhe ky objekt kulturor.