Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çeku i përgjigjet Petkoviqit: Përserite faktin që Kosova është shtet sovran dhe demokratik

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i është përgjigjur drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, lidhur me kërkesën e Petkoviqit që Qeveria e Kosovës të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit.

Çeku përmes një postimi në Twitter ka thënë se Petkoviq përpara se të bëjë kërkesa ndaj Kosovës, duhet të fillojë ta përseris faktin që Kosova është shtet sovran dhe demokratik.

“Instanca më e lartë ligjore? Po mendon Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës? Para se ta lejosh veten të bësh ndonjë kërkesë nga shteti ynë, të fillojmë me njohjen e fakteve në terren. Ju lutem përsëriteni pas meje: Kosova është një shtet sovran dhe demokratik”, ka shkruar Çeku.

 

Ministri Çeku po ashtu ka dhënë sygjerime shtesë për Serbinë dhe ka kërkuar që Serbia t’i ndalë sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës.

“Sygjerime shtesë: Kërkoni falje për gjenocidin e kryer (Kisha Ortodokse e Serbisë është e mirëseardhur t’ju bashkëngjitet), jepni informatat për personat e zhdukur me dhunë, paguani dëmet ekonomike, përfshirë shkatërrimin e më shumë se një mijë lokacioneve të trashëgimisë, ktheni artefaktet tona të vjedhura. P.S ndalni sulmet terroriste ndaj policisë sonë”, ka shkruar Çeku.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq mbremë në Twitter ka thënë se duhet një analizë kritike e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën rreth Manastirit të Deçanit.

“Kurdo që ju Hajrulla Çeku flisni për rendin dhe ligjin, duhet t’ua kujtojmë këtë deklaratë. Është e padëgjuar të thuhet se vendimet e instancave më të larta ligjore të juaja s’duhet të merren si të mirëqena”, ka thënë Petkoviq.

Para 4 vitesh, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.

Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune. Banorët e Deçanit dhe zyrtarët komunalë patën zhvilluar disa protesta në vitin 2013, duke thënë se manastiri është objekt kulti i shqiptarëve e jo i serbëve.

Manastiri i Deçanit është ndër monumentet e trashëgimisë më të dalluara të kohës së tij, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të 14-të.