Foto: Ilustrim

Çeku i arrestuar në Kosovë kërkohej për mashtrim me miliona euro në shtetin e tij

Policia e Kosovës gjatë javës së kaluar ka arritur të arrestoj një shtetas çek, i cili ishte në kërkim nga autoritetet e Çekisë për mashtrim.

Policia kishte njoftuar se i arrestuari M.J, 54 vjeçar, i cili u arrestua në Kosovë, ishte dënuar nga autoritetet e Çekisë me gjashtë vjet burg për mashtrim.

KALLXO.com nga burime brenda policisë ka mësuar se i dyshuari dyshohet për mashtrim në vlera milionëshe të parave.

Policia me 5 dhjetor ka njoftuar se arrestimi i shtetasit Çek është arritur pas një bashkëpunimi nga autoritetet kompetente nga Policia e Kosovës, përmes njësitit për persona të arratisur FAST Kosova.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se këtë aksion e ka kryer në vazhdën e angazhimeve ligjore për parandalimin dhe luftimin e veprave penale përfshirë dhe luftimin e kriminalitetit që kalon kufijtë shtetërorë, në veçanti identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që provojnë t’i ikin drejtësisë, përfshirë edhe drejtësinë ndërkombëtare.

Njësiti  FAST Kosova është themeluar në Policinë e Kosovës që nga viti 2016, dhe është njësit i cili merret me arrestimin e personave të kërkuar.

Policia e Kosovës arreston një shtetas të huaj, i kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar