Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com

Çeku: Besoj se ministrat janë të pakorruptuar, këto janë fushata të egra të sulmeve politike

“Besoj që kolegët, ministra janë të pa korruptuar… unë besoj në integritetin e kolegëve”- kështu është deklaruar ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, i pyetur rreth hetimeve dhe intervistimeve nga prokuroria që po zhvillohen ndaj ministrave të Qeverisë Kurti.

Çeku tha se “një pjesë e këtij angazhimi është me tendencë e këto sulme janë shpesh me informata të rreme, janë fushata të egra të sulmeve politike e partiake që iu drejtohen ministrave”.

“Ashtu siç kemi thënë që nga fillimi ‘qeverisje me duar të pastërta’ ashtu edhe po e përmbyllim këtë mandat. Besoj që ministrat tanë janë të pakorruptuar. Ne i përgjigjemi çdo kërkese për të dhënë llogari”- ka thënë ndër të tjera ministri Çeku në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë më 13.11.2024.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ‘prokuroria e ka punën e vet, por kjo as nuk më ndalon e as më vështirëson atë që tash është sfidë e përditshme’.

“Unë po flas për sektorin e shëndetësisë, shumë më kompleks dhe profil që prek jetën e qytetarëve çdo ditë. Është goxha sfidë në adresimin e të gjitha kërkesave dhe nevojave që tash kanë dal në pah edhe pse i kemi ditë por pandemia i ka qit në pah të gjitha problemet që është përballë shëndetësia. Po flasim për një sektor të nënvlerësuar me dekada. Unë jam ministër i Shëndetësisë me obligimet që i kam edhe nga Qeveria por edhe ato që më takojnë jam i obliguar që të kryej punë time në mënyrë korrekte. Prokuroria e ka punën e vet, por kjo nuk na ndalon e as më vështirëson që atë që është sfidë e përditshme”- tha Vitia.

KALLXO.com ka raportuar për intervistimin e ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari në cilësinë e të dyshuarës më 15.04.2024 për rastin e rezervave shtetërore.

Në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi më 08.05.2024 për rastin e kontratës për ndërtimin rrugës Prishtinë-Podujevë.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar për Kallxo.com se më 12.11.2024 se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është intervistuar nga kjo prokurori në cilësinë e dëshmitares. Por Prokuroria nuk ka specifikuar se për cilën çështje penale po intervistohet ministrja Rizvanolli.

KALLXO.com ka raportuar edhe për intervistimin e Ministrës së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në korrik të këtij viti.

Në komunikatën e Prokurorisë Speciale thuhet se Haxhiu u intervistua në mënyrë që të sqarohet deklarata e saj dhënë në TV Dukagjini, në emisionin ‘Debat Plus’ më 02.07.2024.