Çeki, disa të vrarë nga të shtënat në një spital

Gjashtë njerëz janë vrarë nga të shtënat në një spital universitar në Ostravë të Republikës së Çekisë, kanë njoftuar autoritetet lokale.

Sulmuesi i dyshuar është ende në arrati, tha policia.

Zyrtarët policorë u thirrën në spitalin e qytetit veri-lindor të Ostravës rreth orës 07:00, njoftoi ministri i Brendshëm.

Sipas raportimeve, të shtënat kanë ndodhur në një klinikë traumatologjike.

I gjithë spitali është evakuuar.

“Policia po kërkon intensivisht autorin e krimit”, u tha në njoftimin e policisë.

Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis e quajti incidentin si tragjik.

“Unë e di se katër persona u qëlluan për vdekje në vend, dhe dy u plagosën rëndë, të cilët për fat të keq, më pas vdiqën”, shtoi ai.

Raportet e pakonfirmuara në mediat çeke thonë se sulmuesi ishte një burrë me një xhaketë të kuqe dhe ai hapi zjarr në një nga departamentet e spitalit.

Ostrava është një qytet industrial në lindje të Çekisë, afër kufirit me Poloninë. /REL