Çedomir Jovanoviq tregon çka u diskutua në takimin me Kurtin

Politikani serb Çedomir Jovanoviq, dy ditë më parë ka qëndruar në Kosovë ku edhe është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.

Pas takimit, rrugës për në Serbi, përmes një videomesazhi, Jovanoviq ka dhënë detaje lidhur me atë se çka u diskutua në takimin që u zhvillua në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Jovanoviq ka theksuar se Kurtin e njeh që 30 vite dhe se më të kanë kaluar nëpër shumë situata të ndryshme.

Ai ka deklaruar se pas bisedës që ka zhvilluar me kryeministrin Kurti, mendon që ngjarja në Banjskë është “gjaku i fundit që duhet të derdhet në konfliktin mes Kosovës e Serbisë”.

“Mendoj qe Banjska është gjaku i fundit që është derdh mes Kosovës e Serbisë. Kosova është barrë për neve. Na duhet një fillim i ri, pak a shume është gjaku i fundit që derdhet në konfliktin mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, që eshtrat që kanë mbetur atje dhe jetët që janë humbur janë çmimi i fundit që paguajmë për mosmarrëveshjen historike mes dy popujve tanë”- ka thënë ai.

“Kosova është barrë për neve”- ka shtuar ai.

Ndërsa ka thënë se ai e thotë të vërteten, duke përmendur se në të kaluarën është quajtur tradhtar lidhur me ketë.

“Atëherë jam quajtur tradhtar por sot shumë njerëz e kuptojnë se e kam bërë gjënë e duhur për shkak se e dua popullin tim… Sot besoj në shoqërinë tonë dhe aftësinë e saj që t’i bëjë ndryshimet që janë të nevojshme në mënyrë që të gjithë në Kosovë të jetojnë në paqe e ne ta nisim një fillim të ri”- ka shtuar ai.

Në përshkrimin e videos të publikuar në Facebook, Jovanoviq ka thënë se Kurti e ka pyetur “A është Beogradi interesant dhe i bukur si kur ishim studentë?”.

Ndërsa Jovanoviq ka thënë: “dhe më interesant dhe më i bukur, shumë… dhe Prishtina po ashtu!”.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, të dielën ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti është takuar me politikanin serb Çedomir Jovanoviq.

Sipas njoftimit, Kurti në takim me politikanin liberal biseduan rreth zhvillimeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë si dhe raportet mes dy vendeve.

Në komunikatë tutje thuhet se u fol për nevojën e fuqizimit të sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor e demokratizimin e shoqërive dhe institucioneve.

Jovanoviq është themelues i partisë politike të quajtur Partia Liberale Demokratike.

Ai ishte kandidat për president në zgjedhjet presidenciale të Serbisë më në 2008 dhe 2012.

Kurti takohet me politikanin serb, Çedomir Jovanoviq