Çdo orë të muajit janar 2021, vdiqën të paktën dy qytetarë

Në muajin janar të sivjetmë, vdiqën më shumë se 1,700 qytetarë, që i bie se çdo orë të atij muaji, humbën jetën të paktën dy qytetarë të Kosovës. Pra ky muaj pati pothuajse dyfish raste të vdekjeve në raport me muajin e njëjtë të dy viteve më parë.

Të dhënat preliminare për muajin janar 2021, tregojnë se në Kosovë ishin 1,714 vdekje, nga ta më shumë se gjysma apo 56.4 për qind, i përkasin gjinisë mashkullore ndërsa 747 apo 43.6 për qind i përkasin gjinisë femërore.

Sipas komunave, prinë kryeqyteti me gjithsej 398 vdekje.

Në këto të dhëna preliminare, nuk jepen informata lidhur me shkaqet e këtyre vdekjeve në Kosovë.

Ndonëse në databazën e ASK-së, ende nuk evidentohen të dhënat për vdekjet për vitin 2020, ndërsa në krahasim me muajin janar të vitit 2019, numri i vdekjeve në Kosovë është pothuajse i dyfishuar me 841 raste të vdekjeve më shumë, shprehur në përqindje i bie 96.3 për qind.

Në muajin janar të vitit 2019, evidentohet se numri i vdekjeve ishte 873 persona.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), njofton se ka filluar publikimin i mujor të statistikave vitale me të dhëna administrative preliminare.