Cavoli: SHBA do të vazhdojë mbështetjen e plotë për FSK-në

Komandanti i Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneral Christopher Cavoli, ka premtuar përkrahje të vazhdueshme për Forcën e armatosur të Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës. Cavoli, rikonfirmoi këtë mbështetje, gjatë takimit që sot kishte me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

Sipas komunikatës së dërguar për media nga Ministria e Mbrojtjes, gjeneral Cavoli, pas takimit me ministrin Mehaj ka premtuar se SHBA, sikur deri më tash, do të vazhdoj mbështetjen e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-në në procesin e zhvillimit dhe të tranzicionit në përputhje me objektivat strategjik.

Mehaj nga ana e tij e ka falënderuar gjeneral Cavolin dhe SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme.

“E cila ka qenë jetike në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtarë të NATO-s”, citohet të ketë thënë Mehaj.

Ai ka shprehur mirënjohjen e thellë për mundësinë historike të pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në operacione jashtë vendit krahë forcave amerikane.

Po ashtu ministri shprehu nderin dhe respektin e madh për përfshirjen e Kosovës në mesin e vendeve pritëse gjatë stërvitjes “Defender-Europe 21” si dhe pjesëmarrjes së trupave të FSK-së në këtë stërvitje kaq të rëndësishme për vendin dhe forcat e Kosovës.

Përveç ministrit Mehaj, një takim të ndarë me gjeneralin Cavolin ka zhvilluar edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili falënderoi qeverinë dhe forcat amerikane për përkrahjen e vazhdueshme  për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.

Gjeneral Cavoli ka shprehur vlerësimin e tij për të arriturat e deritashme të FSK-së si dhe shkallën e implementimit të Planit të Tranzicionit drejt ngritjes të mëtejme profesionale dhe të ndërveprueshme me forcat partnere.

Ai, gjithashtu çmoi pjesëmarrjen e FSK-së me kapacitete e saj në stërvitjen “Defender-Europe 21”.

Forca e Sigurisë së Kosovës me 330 ushtarë është pjesë e stërvitjes “Defender-Europe 21”, ushtrimet e së cilës në Kosovë janë duke u zhvilluar nga data 17 maj e do të zgjasin deri më 29 maj dhe arena e trajnimeve do të jetë në fshatin Babaj i Bokës në Gjakovë.

Kosova është një prej 16 vendeve pritëse të “Defender Europe 21”, që është një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga ushtria amerikane. Në “Defender-Europe 21”, marrin pjesë 27 shtete me mbi 28 mijë ushtarë.