Çantat me para pas bastisjes së sotme u gjetën njëra në tualet e tjetra në oborr

12 persona janë arrestuar, nga ta 10 zyrtar të institucioneve, dhe rreth 400 mijë euro janë sekuestruar në një operacion të gjerë të Policisë së Kosovës, i cili ndodhi gjatë ditës së sotme.

KALLXO.com mëson se dy çanta me paratë janë gjetur njëra në një tualet të njërës nga shtëpitë e të dyshuarve dhe tjetra në oborr të një shtëpie.

KALLXO.com ka siguruar edhe fotografi të çantave me para të cilat janë konfiskuar gjatë ditës së sotme.

Në një konferencë për media, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se bastisja e sotme ishte rezultat i një hetimi me masa të fshehta që nga muaji janar.

Tutje kryeprokurori Lumezi tha se operacione të ngjashme do të ketë edhe ditëve në vijim.

Drejtori i Departamentit të Krimeve Ekonomike brenda Policisë së Kosovës, Nazim Sahiti tha në konferencë për media se paratë e konfiskuara janë marrje dhe dhënie ryshfeti ndërsa të arrestuarit po dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I gjithë operacioni që ndodhi gjatë ditës së sotme, ndodhi nën dyshimet për keqpërdorime të fondeve të subvencioneve.