Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

CAN Europe: Shtetet e Ballkanit duhet të vendosin caqe ambicioze të klimës dhe dekarbonizimit

Rrjeti për veprim klimatik (CAN Europe) u ka bërë thirrje udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor të vendosin caqe ambicioze të uljes së emisioneve të gazrave serrë deri më 2030 dhe të arrijnë neutralitet ndaj klimës dhe dekarbonizimit ekonomik deri në vitin 2050.

Në komunikatë potencohet se këto veprime kanë qëllim kufizimin e rritjes së temperaturës në 1.5 gradë celsius.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të vendosin caqe të qarta dhe ambicioze të klimës (dhe planet e veprimit) për vitin 2030, në mënyrë që të qëndrojnë në përputhje me qëllimet e kufizimit të rritjes së temperaturës në 1.5 ° C siç parashikohet me Marrëveshjen e Parisit”, thotë Viktor Berishaj nga ky rrjet.

Nëse një hap i tillë nuk merret, vendet do përballen me sfida mjedisore, sociale e financiare.

“Udhëheqësit rajonalë duhet të respektojnë premtimet e tyre të bëra brenda Deklaratës së Sofjes që përcakton arritjen e neutralitetit ndaj klimës deri në 2050. Përndryshe sfidat mjedisore, sociale dhe financiare do të bëhen së shpejti edhe më të ashpra për rajonin”, potencohet tutje në komunikatë.

Rezultatet e studimit tregojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë më vend për shmangie sa i përket zvogëlimit të emetimeve të gazrave serrë.

Emetimet nga sektori i energjisë në rajon paraqesin 74% të të gjitha emetimeve të gazeve serrë.

Emetuesi kryesor është flota e vjetruar dhe joefikase me energji termike të prodhuar nga linjiti. 16 impiante qymyri në Ballkanin Perëndimor ndotin aq sa me 250 njësitë e flotës evropiane.

“Derisa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina po planifikojnë ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese rrymës nga qymyri, lajmi i mirë është se rishtazi tre nga pesë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk vazhduan me planet e tyre për të ndërtuar termocentrale të reja, përkatësisht projekti Kosova e Re në Kosovë (500 MË) , Pljevlja II në Mal të Zi (254 MË) dhe Oslomej në Maqedoninë e Veriut (129.5 MË)”, ka thënë Berishaj.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë aktualisht po mbështetë procesin e hartimit të Planeve Kombëtare të Energjisë dhe Klimës (NECP) që do të ndihmojnë secilin shtet për të zbatuar caqet e 2030.

Për më tepër, vendet po punojnë në përditësimin e Kontributeve të Përcaktuara Kombëtare (NDC), të cilat duhet të shpijnë drejtë uljes së emetimeve të gazeve serrë në përputhje me objektivat e marrëveshjes së Parisit dhe kufizimin e ngrohjes globale në 1.5C krahasuar me nivelet para zhvillimit industrial.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.