Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Caktohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit për kanosjen e gazetarit Vehbi Kajtazi
Gjykata e Prishtinës, sot më 11.10.2024 e ka caktuar seancën dëgjimore nga ora 13:30 ndaj të dyshuarit për kanosjen e gazetarit Vehbi Kajtazi.
Prokuroria e Prishtinës ndaj personit i cili e ka kanosur gazetarin Vehbi Kajtazi ka kërkuar masën e paraburgimit.
Këtë për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës Mirlinda Gashi.
I njëjti po dyshohet për veprën penale “Kanosje” dhe mbi bazën e këtij dyshimi me urdhër të prokurorit i njëjti është arrestuar më 10.10.2024.
Prokuroria e Prishtinës, më 10.10.2024 kishte njoftuar se pas publikimit të informatave rreth kërcënimit që ka marrë gazetari Vehbi Kajtazi, për shkak të punës dhe profesionit të tij, Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë kishin identifikuar dhe siguruar prezencën e të dyshuarit në procedurë penale.
Më 09.10.2024 Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim të jashtëzakonshëm për kërcënimin me jetë që i është bërë gazetarit Vehbi Kajtazi.
“Të jesh i sigurtë që premtimin do ta mbaj”; “Unë e ti së bashku në ferr”, ishin disa mesazhe kërcënuese ndaj gazetarit në fjalë, sipas AGK-së.
Më këtë rast AGK ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse dhe organet e rendit që të ofrojnë siguri për gazetarin Kajtazi dhe që ta trajtojnë me urgjencë kërcënimin që ai ka marrë mbrëmjen e 8 tetorit, përmes një mesazhi në llogarinë e tij në “Facebook”.