Meliza Haradinaj- Stublla, In Middle LTD

Caktohet seanca e rigjykimit ndaj ministres Meliza Haradinaj – Stublla

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka caktuar seancën e rigjykimit ndaj Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj- për t’u përballur me akuzën për raportim të rremë të pasurisë.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Mirlinda Gashi, e cila ka thënë se rasti  do të gjykohet nga gjyqtari Alban Ajvazi dhe seanca është caktuar për datën 1 dhjetor.

Kujtojmë se pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtore për  raportim të rremë të pasurisë, Meliza Haradinaj – Stubllën, me ç’rast të njëjtës i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse në periudhën verifikuese prej 1 viti, Haradinaj – Stublla nuk do të kryente vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin detyrohej ta paguante brenda afatit prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit ankesë kishte ushtruar mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Merita Stublla, kurse sot mbas më shumë se një viti e gjysmë, Gjykata e Apelit mori vendim dhe lëndën e ktheu në pikën zero.

Sipas Gjykatës së Apelit aktgjykimi i shkallës së parë përfshihet në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

Në vendimin e Apelit thuhet se nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin e nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, të cilat i vihen në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetojë elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik e që sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët.

Tutje në vendimin e Apelit që e ka siguruar KALLXO.com thuhet se gjykata e shkallës së parë është dashur që të vërtetojë se vepra penale a është kryer me dashje, si dhe a ka pasur përfitime pasurore nga kryerja e kësaj vepre penale.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshëm përkitazi me qartësinë e fakteve, për të konsideruar se cilat fakte janë të vërtetuara apo të pa vërtetuara, si dhe për të vërtetuar saktësinë e provave kundërthënëse, e për të ardhur në përfundim me provat të cilat i ka proceduar dhe vlerësuar, që ka rezultuar me mos e vërtetimin e ekzistimit apo jo të veprës penale.

Gjykata e Apelit ka a ardhur në përfundim se gjykata e shkallës së parë, nuk ka arritur që të vërtetoj as elementin e ekzistimit të përfitimit nga aksionet e kompanisë përkatëse, se a ka pasur e akuzuara realizim vjetor të të ardhurave dhe a ka qenë kompania aktive.

Sipas Apelit shkalla e parë nuk ka arritur të vërtetoj vlerën e aksioneve se a e mbërrin shifrën sikur se kërkohet që të jetë mbi 50 euro, për raportimin e së njëjtës.

Si rezultat i këtyre paqartësive, të cilat janë vërejtur në aktgjykimin e shkallës së parë, Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundim se ky rast duhet të kthehet në rigjykim.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj – Stublla  kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër. Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Ëoolmead Avenue” në Londër.

“IN MIDDLE LTD” ishte  themeluar në vitin 2015, dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit.

Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklaroj pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj – Stublla ka deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.