Foto: Atdhe Mulla

Caktohet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

Sot nga ora 21:30, Kuvendi i Kosovës pritet që të mbaje seancë të jashtëzakonshme.

Në bazë të vendimit, seanca do të mbahet me vetëm një pikë të rendit të ditës, “Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256”.

Kuvendi ka njoftuar se në funksion të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19 dhe në respektim të  rekomandimeve të institucioneve gjegjëse, në këtë seancë nuk do të ketë prezencë të mediave në galerinë e sallës plenare të Kuvendit.

“Mediat megjithatë mund të qëndrojnë në hapësirën e përcaktuar në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ju njoftojmë se Kuvendi do të ofrojë linkun e transmetimit të drejtpërdrejtë të kësaj seance, nëpërmjet ëeb faqes së Kuvendit, kanalit zyrtar të Kuvendit në youtube, si dhe RTK-së, si medium publik. Ky njoftim vlen vetëm për këtë seancë. Për seancat e radhës mediat do të njoftohen paraprakisht lidhur me qasjen në sallën plenare dhe hapësirat e tjera të Kuvendit”, thuhet në njoftim.