Caktohet paraburgimi për Tunë Kçirajn, Hil Kaçinarin e të tjerët që u arrestuan për bixhoz

Gjashtë persona janë arrestuar me datë 21 Prill, nga ana e Policisë së Kosovës për pjesëmarrje  dhe organizim të lojërave të fatit.

KALLXO.com kishte raportuar se të arrestuarit janë Tunë Kçira, Hil Kaçinari, Pater Berisha, Shpejtim Kastrati, Kadri Krasniqi dhe Safet Kyçyku.

Prokuroria kishte paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit, ndërsa sot gjatë ditës Gjykata e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë dhe ndaj të arrestuarve është caktuar masa e paraburgimit.

Në vendimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit thuhet se Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30  tridhjetë ditësh, ndaj të Tunë Kçira, Hil Kaçinari, Pater Berisha, Shpejtim Kastrati, Kadri Krasniqi dhe Safet Kyçyku, që të gjithë nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Kçiraj, Kaçinari, Berisha, Kastrati, Krasniqi e Kyçyku u hasën nga policia duke organizuar lojëra të fatit.

Gjatë këtij operacioni, janë konfiskuar letrat e bixhozit dhe disa shuma të parave.

Sipas dosjes tek  Tunë Kçira janë gjetur 450 euro, nga Hil Kaçinari janë konfiskuar 3 mijë e 190 euro, nga Pater Berisha 2 mijë e 611 euro, nga Safet Kyçyku 243 euro, 20 dollarë dhe 23 mijë e 400 lekë, nga Kadri Krasniqi 103 euro dhe nga Shpejtim Kastrati 827 euro.

Përpos bixhozit ndaj të dyshuarve rëndon edhe dyshimi për  veprën penale të mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, vepër kjo e përcaktuar me Kodin Penal.

Kanë kaluar 216 ditë, Apeli ende nuk ka vendosur në rastin e shënjestruar ‘Kristali’

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se gjykimi ndaj grupit të Tunë Kqirajt, i njohur si rasti ‘Kristali’ gjendet nga 9 shtatori 2019 në Gjykatën e Apelit me ankesë të prokurores së rastit Merita Rugova dhe avokatëve të të akuzuarëve.

Nga 9 shtatori 2019 e deri sot kanë kaluar 216 ditë apo 6 muaj e 24 ditë dhe  Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim lidhur me këtë çështje penale.

Rasti ’Kristal’ është njëri ndër rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

Gjykata e Prizrenit me 24 maj 2019, kishte marrë aktgjykim dënues me të cilin Tunë Kqirajn e kishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim për veprën penale organizim i skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm.

Tunë Kqira me 1 mijë e 500 euro gjobë ishte dënuar për veprën armëmbajtje pa leje.