Caktohet masa e paraburgimit ndaj një të pandehuri për dhënie të ryshfetit

Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë,  ndaj të pandehurit E. R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, dhënia e ryshfetit.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit E. R., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

“I pandehuri E. R., në mënyrë të drejtpërdrejt i jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar, në  mënyrë që ai person të mos veproj në pajtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që më datë 06 prill, në orët e pasdite, duke kaluar si pasagjer me automjet në pikën kufitare Shqipëri – Kosovë, në Vërmicë, pasi ndalohet automjeti në fjalë nga zyrtari policor, i pandehuri E. R., në lejen e qarkullimit të automjetit të tij e kishte vendosur një kartëmonedhë në vlerë prej pesëdhjetë (50) euro, dhe kur është pyetur se pse është kartëmonedha e vendosur aty, në atë moment ka reaguar duke i thënë se : ‘këto të holla i kam futur unë për ju, për arsye se kam ndalesë hyrje në Kosovë dhe për të më mundësuar të kaloj kufirin’”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., duke marrë parasysh faktin se i pandehuri është shtetas i Shqipërisë, dhe me lënin në liri i njëjti mund të arratiset dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë gjatë fazës së hetimit dhe në faza tjera.

“Gjithashtu Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh edhe karakteristikat personale dhe sjelljen e mëparshme të të pandehurit, pasi që i njëjti është recidivist dhe kryerës i veprave tjera edhe në të shkuarën dhe për këtë arsye e ka pasur të ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.