Caktohet data për shpërndarjen e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që më 22 gusht të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit.

Avdullah Hoti, Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së tha se për këtë datë pati pajtim nga gjithë kryesia.

Ai tha se janë dakorduar që para shpërndarjes të miratohen marrëveshjet fondet e IPA-së, 100 milion euro.

Memli Krasniqi nga PDK thasë besojnë që pas shpërndarjes së Kuvendit, Presidenti do të caktojë menjëherë datën e zgjedhjeve.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare dërguar bartësit të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veselit, i kishte kërkuar edhe zyrtarisht koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë letër të presidentit Thaçi drejtuar Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Veseli në përgjigjen drejtuar Thaçit ka thënë që nuk do të ketë mandatarë të tjerë por do të ketë zgjedhje.

Qeveria ka rënë pasi kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e tij më 19 korrik për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.