Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Caktohet data e shpalljes së aktgjykimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Më 18 maj është caktuar seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj dy ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

“Trupi Gjykues II i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 18 maj në orën 10:00. Seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në shqip, serbisht ose anglisht përmes transmetimit në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen se shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyrat e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Gucati e Haradinaj akuzohen se së bashku me persona tjerë organizuan dhe  shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së po ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë nga 25 shtatori i vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK