Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Caktohet data e afatit të dytë të Testit të Maturës

Afati i dytë i Testit të Maturës është vendosur që të mbahet më 10 tetor.

Në takimin e Këshillit Shtetëror të Maturës, kryetari i Këshillit, Gëzim Berisha ka bërë të ditur se paraqitja e provimit do të mund të bëhet nga data 15-24 shtator, ndërsa rezultatet do të bëhen publike me 16 tetor.

“Nga data 19-21 tetor do të jetë afati i ankesave, rezultatet e të cilave, pas shqyrtimit do të publikohen më 23 tetor, për të shënuar kështu përfundimin e gjithë procesit të Maturës Shtetërorë për këtë vit.”, thuhet ne njoftim.

Dje janë bërë të ditura rezultatet e Afatit të Parë të Testit të Maturës.

Provimi i Maturës Shtetërore 2020 është mbajtur më 29 gusht 2020, dhe i janë nënshtruar 26 mijë e 817 maturantë. Pragu i kalueshmërisë në Provimin e Maturës Shtetërore është 40% e totalit të pikëve të mundshme. Vetëm kandidatët që e arrijnë këtë prag kalueshmërie mund të aplikojnë për regjistrim në studime në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Në Test ishin përfshirë lëndët obligative (gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë) dhe një lëndë zgjedhore (që përzgjidhet nga vetë kandidati nga mesi i lëndëve zgjedhore që ofrohen).

Edhe këtë vit ky test kishte qarkulluar online nga ana e nxënësve në grupe të ndryshme në rrjetet sociale. KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me këtë çështje.

Testi ishte paraparë të mbahet më 4 korrik, por për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, ishte shtyrë për më 29 gusht.

Kurse, për nxënësit që janë regjistruar në fakultetet jashtë vendit, Testi i Maturës ishte mbajtur më 10 korrik.

Vitin e kaluar, kalueshmëria e këtij testi ka qenë 64.64%, kurse në vitin 2018, 73.26%