Caktohet 1 muaj paraburgim për katër persona që u përfshinë në rrahje në Prishtinë
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj katër personave që dyshohet se u përfshinë në një rrahje më 07.09.2024, në rrugën “Dervish Çollaku”, në Zonën Industriale, në Prishtinë.
Sipas Gjykatës, të pandehurit J.M., P.G., P.H. dhe M.M. dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – lëndimi i rëndë trupor.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se pas një mosmarrëveshjeje brenda një diskoteke me të dëmtuarin A.N., të pandehurit e kanë pritur këtë të fundit të dalë jashtë dhe e godasin me tulla në pjesë të ndryshme të trupit.
“Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 07.09.2024 rreth orës 03:37 në parkingun mbrapa Routte 66 në rrugën Dervish Çollaku – Zona Industriale në Prishtinë, pas një mosmarrveshje të atëçastshme brenda diskotekës me të dëmtuarin A.N, të pandehurit dalin para hyrjes së diskotekës dhe presin derisa i dëmtuari të dal jashtë dhe në momentin kur i dëmtuari del nga diskoteka, katër të pandehurit e përcjellin dhe e godasin me mjete të forta (tulla) në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore, me këto veprime të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor”- thuhet në komunikatë.
Në njoftim bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve J.M., P.G., P.H. dhe M.M. dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, mund të shmangen nga procedura penale duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurve mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale, ndikimin në dëshmitarë, si dhe të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo mund të kryejnë vepër penale edhe më të rëndë”- thuhet tutje në kumtesë.
Më tej në njoftim theksohet se kundër këtij aktvendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh fillimisht njoftoi se ka arrestuar pesë të dyshuar të cilët për shkaqe ende të panjohura ishin përfshirë në rrahje.