Caktohen koordinatorët për veprat penale kundër integritetit seksual në të gjitha prokuroritë e vendit

Me kërkesë të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kryeprokurorët e të gjitha prokurorive të vendit kanë caktuar koordinatorët për veprat penale kundër integritetit seksual.

Në njoftimin për media të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit theksohet se gjithashtu, Koordinator përgjegjës për të gjitha prokuroritë është caktuar një prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Qëllimi i caktimit të koordinatorëve është që veprat kundër integritetit seksual të trajtohen me prioritet të shtuar gjatë punës së institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe rrjedhimisht të koordinohet puna për trajtimin sa me efikas të këtyre rasteve në të gjitha fazat e procedurës penale.

Numri i rasteve të raportimit të dhunës dhe ngacmimit seksual janë rritur së fundmi.

Më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e re 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga 5 persona. E njëjta dyshohet se është dhunuar edhe nga 6 persona në muajin qershor. Për 11 persona, është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Një rast i ngacmimit seksuar ndaj një të miture është raportuar edhe në Istog.

Derisa, në një rrëfim tjetër për KALLXO.com, Medinë Dauti ka folur për ngacmimin seksual që dyshohet se i është bërë nga ish-profesori i saj.

Para pak ditëve, KALLXO.com publikoi edhe rrëfimin e babait të një vajze 14-vjeçare, e cila ka qenë viktimë e një tentim-dhunimi në një shkollë në kryeqytet.

Raste të ngacmimit seksual ndaj vajzave  dhe grave regjistrohen thuajse në baza ditore në raportet e Policisë së Kosovës.

Këtu gjeni raportime të dhunës e ngacmimeve seksuale ndaj vajzave dhe grave.