Caktimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe, Osmani sot konsulton partitë

Pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të takohet me subjektet politike për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke pasur parasysh afatet ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, sot u ka dërguar ftesa subjekteve politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Takimi konsultativ me subjektet politike do të mbahet më 14 nëntor”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas konsultave me partitë politike pritet të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Dorëheqja e katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës për veri. I njëjti u suspendua pasi u dyshua për rezistencë dhe refuzim të lëshimit të fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Për dorëheqjet u njoftua në një takim të jashtëzakonshëm të thirrur nga Lista Serbe. Dorëheqje pati në polici, sistem gjyqësor, nivel lokal, etj.