Eugen Cakolli FOTO:Facebook

Cakolli: Zgjedhjet lokale pritet të zgjojnë interes të madh qytetar

Përveç zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, Kosova këtë vit do të mbajë edhe zgjedhjet e rregullta lokale.

Procesi zgjedhor për kryetarët dhe këshilltarët komunal të 38 komunave të vendit, pritet të mbahen në mesin e muajit tetor.

Në lidhje me këtë çështje, njohësi i proceseve zgjedhore dhe hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se këto zgjedhjeve pritet të zgjojnë interes të lartë qytetar.

“Zgjedhjet lokale të këtij viti pritet të zgjojnë interes të madh qytetar, veçanërisht marrë parasysh ndryshimet e mëdha politike që kanë ndodhur sidomos përgjatë këtyre dy-tri viteve të fundit, për çka besoj që tashmë subjektet politike do të jenë dukshëm më vigjilente në raport me programin të cilin ata do t’ua paraqesin qytetarëve, por sigurisht edhe të kandidaturave të cilat këto subjekte do t’i kenë nëpër komuna të caktuara e me fokus të veçantë në ato që njihen si bastione te subjekteve politike”, thotë ai.

Në zgjedhjet e kaluara më 22 tetor të vitit 2017, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në votime kanë marrë pjesë 811,650 votues apo 44.1 për qind.

Disa prej partive politike në vend tashmë kanë shpallur kandidatët e tyre për kryetarë komunash dhe kanë mobilizuar shtabet zgjedhore.

Sipas Cakollit, është një tendencë e vërejtshme që subjektet politike kanë vendosur që të kenë një qasje më ndryshe vlerëson ai, sesa në vitet e mëparshme zgjedhore.

“Tashmë kur jemi në prag të shpalljes së zgjedhjeve lokale, përkatësisht edhe shpalljes së kandidaturave Për çka konsideroj se është bërë një përmirësim i ndjeshëm si në përcaktimin e kandidaturave, ashtu edhe sa i përket mënyrës së shpalosjes së tyre”, tha ai.

Hulumtuesi ka shtuar se për këtë janë disa arsye, duke përmendur si shembull humbjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në bastionin e saj – Komunën e Podujevës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë vitin e kaluar.

“Arsye të shumta për ta mbështetur një lloj hipoteze të tillë është fakti se tashmë edhe ato që janë njohur si bastione tradicionale të subjekteve politike kanë filluar që të bien siç e kishim rastin e Komunës së Podujevës kur nga një qeverisje shumë vjeçare të LDK-së dhe fitimit i të gjitha zgjedhjeve të mbajtura pas luftës, pjesa më e madhe e të cilave pa balotazh LDK-ja e humbi po të njëjtën komunë pa balotazh fare. Pra ka ndodhur një ndryshim edhe në nivelin lokal”, thekson ai.

Hulumtuesi nga KDI-ja ka përmendur se para zgjedhjeve lokale në Kosovë, është duke u zhvilluar edhe fushata negative që njihen si ‘negative campaigning’ ndaj kandidatëve të tjerë që sipas tij, flet për një ndryshim të madh që ka ndodhur.

“Në radhë të parë kur një lloj i tillë fushate ushtrohet nga ana e subjekteve politike që janë favoritë, unë besoj që kjo mund të ketë efekt negativ në vetë atë subjekt politike më shumë sesa që do të ketë ndaj kundër kandidatit eventual dhe po ashtu shpërfaq një lloj frike për ndonjë ndryshim të madh që mund të ketë ndodhur në elektoratet përkatëse të këtyre subjekteve politike”, theksoi ai për KALLXO.com.

Cakolli ka thënë se zgjedhjet lokale pritet të mbahen në mes të muajit tetor.

“Ligji përcakton që zgjedhjet mund të mbahen katër muaj apo gjashtë muaj më së largu nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve paraprake që lidhet me datën 22 tetor prandaj unë besoj që zgjedhjet do të mbahen dikur nga mesi i muajit tetor meqenëse afati për shpalljen e tyre korrespondon me një datë të tillë”, tha ai.

Ai ka shtuar se nuk beson që zgjedhjet mund të shtyhen për shkak të pasojave që mund të ketë në organizimin e balotazhit që do të mbahet një muaj më vonë.