Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çakmaku: Do t'i krijojmë dy ndërmarrje publike për mbledhjen e mbeturinave në Prishtinë

Avni Çakmaku, kandidat i partisë Fjala për të parin e kryeqytetit, ka premtuar se do të krijojë dy ndërmarrje publike në Prishtinë për mbledhjen e mbeturinave, nëse zgjidhet kryetar.

Ai tha se Ligji për Prishtinën e lejon krijimin e ndërmarrjeve publike.

“Mbeturinat inerte kanë fillu të jenë një gangrenë në Prishtinë, po krijohen deponi ilegale, që më pastaj po plotësohen edhe me mbeturina të tjera. Ne propozojmë që të krijohen dy ndërmarrje publike për mbledhjen e mbeturinave në komunën e Prishtinës”, tha Çakmaku.

Sonte, për herë të parë, të gjithë kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Kandidatët për të parin e Prishtinës do të përgjigjen përballë Jeta Xharrës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diona Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.