Cakaj takon Hazirin, bisedojnë për dialogun Kosovë- Serbi

Ministri i Puënve të Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Gent Cakaj, ka takuar gjatë ditës së sotme kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin.

“E falënderova për punën e tij të vyer në Komunën e Gjilanit dhe për mbështetjen e pakursyer në procesin e bashkimit të partive politike në Luginën e Preshevës. Nënvizuam bashkërisht rëndësinë që Kosova dhe Shqipëria të shtojnë mbështetjen shtetërore për vëllezërit tanë në Luginë”, ka shkruar Cakaj.

Ai tutje ka shkruar se në takim me Hazirin ka biseduar rreth zhvillimeve politike dhe dialogun Kosovë- Serbi.

“Po ashtu, biseduam edhe për zhvillimet politike në rajon dhe dialogun Kosovë-Serbi në veçanti. Shqipëria është duke e përcjellë me shumë vëmendje zhvillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe mbështet në mënyrë absolute platformën e Kosovës në këtë proces”, ka shkruar Cakaj.

Sipas Cakajt dialogu duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.