Foto: Gent Cakaj/Facebook

Cakaj: Nuk ka shqiptarë të prekur nga Koronavirusi në Itali

Pas viktimave të para nga Koronavirusi në Itali, dhe përhapjes së shpejtë të këtij virusi në disa rajone të Italisë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka dalë me një njoftim.

Cakaj ka njoftuar se deri më tani asnjë shqiptar nuk është prekur nga Koronavirusi në Itali.

“Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale”, ka shkruar ministri Cakaj në Facebook.

Tashmë në Shqipëri kanë filluar të merren masat e para për parandalimin e përhapjes së Koronavirusit, sidomos në pikat kufitare që e lidhin Shqipërinë me Italinë dhe në aeroportin “Nënë Teraza” në Tiranë.

Cakaj ka thënë se autoritetet italiane janë vazhdimisht në kontakt me ato shqiptare për masa të përbashkëta për parandalimin e virusit në territorit shqiptar.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të ministrit Gent Cakaj:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së bashku me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe në Bari janë duke ndjekur nga afër situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë.

Deri më tani nuk ka informacione për qytetarë shqiptarë të prekur. Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ministrinë e Shëndetësisë të Italisë dhe me Departamentin e Emergjencave Civile të Këshillit të Ministrave të Italisë për masat e përbashkëta për parandalimin e përhapjes së virusit në territorin shqiptar.

Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për dhe nëpër Itali t’iu përmbahen masave të përcaktuara prej autoriteteve italiane në situatën e emergjencës.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali do të vijojnë informimin e publikut varësisht prej situatës.