Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Kallxo.com

Bytyqi thotë se fëmijët e kthyer nga Siria do të integrohen në shkolla

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi deklaroi sot se fëmijët të cilët janë kthyer nga Siria, këtë vit do të integrohen në shkollat e Kosovës.

“Janë duke u bërë përgatitjet, ka pasur nevojë për disa përgatitje dhe besojmë shumë shpejtë do jenë pjesë e integruar nëpër klasa. Në momentin që do jenë të përgatitur do jenë pjesë e klasave të rregullta”, tha ai gjatë një vizite në shkollën “Naim Frashëri” në kryeqytet.

Bytyqi, po ashtu shtoi se mësimi tërë ditor do të fillojë së zbatuari nga ky muaj.

“Jemi duke i përgatitur të dhënat kanë pasur kërkesa më shumë shkolla se sa kemi planifikuar ne besojmë që edhe në shtator do fillojë”, tha ministri.

Ministri në detyrë i bërë thirrje mësimdhënësve dhe prindërve që të jenë më të kujdesshëm.

“Ju bëjë apel mësimdhënësve dhe prindërve që të jenë të përkushtuar në mënyrë që të ecim drejt sukseseve për ngritje të standardeve në shkollat tona”, tha ai.

Në këtë vizitë ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se këtë vit mësimin e vijojnë rreth 50 mijë nxënës në këtë komunë.

Sot në të gjitha shkollat e Kosovës ka filluar viti i ri shkollor 2019/20.