Bytyqi e Muharremaj përurojnë një sallë sportive në Suharekë

Ministri i Arsimit në largim, Shyqiri Bytyqi, sot ka përuruar një sallë sportive në shkollën e fshatit Bllacë të Suharekës.

Përmes një publikimi në Facebook, Bytyqi ka thënë se përurimi i kësaj salle sportive së bashku me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj është një nder i veçantë sepse kjo shkollë mban emrin e atdhetarit Ramë Bllaca.

“Ishte kënaqësi e veçantë të jesh në mesin e nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës “Ramë Bllaca” në Bllacë të Suharekës, ku përuruam sallën e sporteve bashkë me kryetarin e Komunës, z. Bali Muharremaj. Kjo shkollë, që mban emrin e një atdhetari të madh, nga sot e tutje do të ofrojë për nxënësit edhe mundësi rekreacioni dhe zhvillimi në sporte, krahas arsimit dhe edukimit. Rinia jonë është e talentuar dhe këtë po ia dëshmojmë botës përditë, prandaj ne e kemi për detyrë t’iu sigurojmë kushte për t’u zhvilluar.  Uroj që edhe nga shkolla “Ramë Bllaca” të dalin talente që do të veçohen në sporte!”, ka shkruar Bytyqi.

Shyqiri Bytyqi në ditën kur ka dhënë dorëheqje nga NISMA Socialdemokrate, ka thënë se po largohet sepse dikasteri që ai ka udhëhequr ka qenë i kapur politikisht dhe nuk ka pasur hapësirë për marrjen e iniciativave.

Në fillim të muajit shtator Bytyqi ka aderuar në partinë e Shpend Ahmetit, Partinë Socialdemokrate.

Partia Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë bashkuar forcat për të kandiduar në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, ndërsa Bytyqi në këtë koalicion do të kandidojë për deputet nga radhët e PSD.