Bytyçi tregon planet e tij nëse zgjedhet anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Seb Bytyçi, profesor në Kolegjin Riinvest dhe i nominuar për anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ka deklaruar në emisionin #KALLXOPernime, se ka aplikuar për këtë pozitë me synimin për të përmirësuar sistemin e arsimit të lartë.

Bytyçi tregoi tri problemet për të cilat shpalosi kauzat që do t’i shtyjë përpara në rast që arrin të bëhet pjesë e KShC-së.

Ai mes tjerash theksoi se do ta shtyjë përpara çështjen e meritokracië në institucionet e sistemit të arsimit të lartë.

“Tri problemet kryesore mendoj se janë: E para, dominimi i parimit të profitit në arsim të lartë, pastaj, politizimi, ndërhyrja politike, punësimet politike, rritja e numrit të studentëve për qëllime politike dhe e treta, mungesa e hulumtimeve. Por gjithashtu është problem ikja e trurit apo mos kthimi i trurit në përgjithësi. Ndërsa sa i përket asaj se çfarë mund të bëjë KShC-ja, apo unë personalisht çka do të shtyjë është se mendoj se KShC-ja ndikon të shumica e problemeve por jo plotësisht, e ka rolin e saj të pjesshëm dhe aty mund të ndikoj kryesisht përmes zbatimit të kritereve ekzistuese”, tha Bytyçi.

“Natyrisht në rastet kur ato kritere nuk janë të mjaftueshme, me rekomandime për ndryshime apo forcimin e kritereve. Personalisht edhe në shkrimet e mia publike e kam theksuar çështjen e meritokracisë, do ta kisha shty në përgjithësi në institucionet e sistemit të arsimit të lartë. Gjithashtu edhe forcimin e hulumtimeve dhe jo vetëm mësimdhënies, dhe hulumtime në fusha të ndryshme. Për hulumtime më të mëdha duhet mbështetje prej qeverisë, kuvendit dhe shoqërisë civile edhe një lloj presioni nga studentët”, tha tutje ai.

Bytyçi u deklarua edhe rreth kuotës së universiteteve të akredituara për të cilën theksoi se me të në KShC do të shtyjë përpara idenë për vendosjen e kuotave.

“Fatkeqësisht kam pasur edhe vet përvojë me rritjen e numrit të studentëve, si në sektorin privat edhe atë publik. Është shumë e vështirë për mësimdhënësit që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë efektive. Unë do ta kisha shtyrë idenë e rishikimit të programeve të kaluara dhe në përgjithësi të disa kritereve ekzistuese. P. sh. në këtë rast, vendosjen e kuotave apo edhe kur ka raste kur pranohen ose nostrifikohen doktoratat pa hulumtime nga shtetet tjera që është e padrejtë për doktorantët që kanë hulumtime dhe në atë rast do ta kisha shtyrë idenë e forcimit të kritereve”, tha tutje Bytyçi në emisionin që u transmetua të mërkurën në #KALLXOPernime.