Ilustrim

Buzhala: Është stabilizuar furnizimi me energji elektrike

Furnizimi me energji elektrike në Kosovë është stabilizuar.

Këtë e ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala.

Buzhala ka përmendur disa faktorë që kanë ndikuar pozitivisht në stabilizimin e gjendjes me energji elektrike.

“E para, temperaturat janë më të larta, për rrjedhojë ka rënë konsumi. E dyta, kanë rënë çmimet në berzat ndërkombëtare ndjeshëm dhe po blejmë energji elektrike me çmime shumë më të favorshme se në dhjetor. E treta, janë edhe 20 milionë euro që janë ndarë për sistemin që po japin efektin e vet”, është shprehur Buzhala për KALLXO.com.

Tutje, Buzhala ka treguar se pritet që kjo gjendje të vazhdojë edhe më tutje por, nuk duhet përjashtuar fakti që ende është situatë emergjente.

“Aktualisht nuk ka ndonjë predispozitë të përkeqësimit te saj”, ka shtuar ai.

Sipas bursës hungareze të energjisë, HUPX Hungarian Spot Index për javën prej 2 deri më 6 janar, çmimi më i lartë i energjisë që ka kushtur 201 euro e 66 centë për megavat ka qenë më 5 janar 2022.

Më 2 janar 2022 ka qenë çmimi më i ulët i energjisë elektrike në bursën ndërkombëtare: një mëgavat ka kushtuar 126 euro e 63 centë.

Në javën 22 deri më 28 dhjetor 2021, KALLXO.com kishte raportuar se më 27 dhjetor ka qenë çmimi më i ulët i energjisë elektrike në bursën ndërkombëtare, një megavat ka kushtuar 196 euro e 59 centë.

Ndërsa çmimi më i lartë për po atë javë ka qenë më 22 dhjetor. Në këtë ditë çmimi për megavat ka qenë 465 euro e 50 centë.

Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor kishte shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energji.

Sipas vendimit të Qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Që nga 14 dhjetori, njësia B2 e termocentralit “Kosova B” është jashtë funksionit. Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, kishte thënë se te termocentrali “Kosova B” vetëm blloku B1 është në operim, derisa për bllokun B2 presin ta kthejnë në operim nga data 20 janar.