Buzhala: Ekipet e KEDS-it kanë intervenuar në shtyllën e rrëzuar në Gllogjan të Deçanit

KALLXO.com raportoi sot se një shtyllë elektrike e drurit në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit ka disa javë që e dëmtuar dhe rrëzuar po qëndronte në afërsi të rrugës ‘Luan Qerimaj’.

Qytetari që raportoi në KALLXO.com tha se shtylla e thyer e energjisë elektrike është në rrugë që nga 26 dhjetori 2020.

Për shqetësimin e banorëve, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka deklaruar se ekipet e tyre kanë eliminuar rrezikun dhe tashmë i kanë dërguar shtyllat e reja.

“E keni pa që ditëve të fundit kanë mbretëruar kushte të rënduara atmosferike që kanë dëmtuar infrastrukturën në disa pjesë të vendit. Edhe infrastruktura energjetike, përkatësisht rrjeti distributiv është pjesë integrale e saj dhe është afektuar, sidomos në Rajonin e Dukagjinit, ku gjendet edhe lokacioni në fjalë. Ne kemi dërguar dhjetëra ekipe në teren të cilët kanë filluar sanimin e prishjeve dhe tashmë pjesa dërmuese e tyre janë riparuar. Edhe në lokalitetin në fjalë fillimisht e kemi eliminuar rrezikun dhe tashmë i kemi dërguar shtyllat e reja që do t`i zëvendësojnë të vjetrat që janë të thyera”, ka deklaruar Buzhala.

Pas kësaj përgjigjeje, KALLXO.com ka kontaktuar me qytetarin që ka ngritur shqetësimin.

Qytetari ka deklaruar se gjendja po vazhdon të jetë e njëjtë pas asnjë ndryshim.

Kjo është fotografia nga gjendja momentale.