Buxhetohen 10 mijë euro për ‘E-kiosqe’ për vitin e ardhshëm nga Komuna e Vushtrrisë

Komuna e Vushtrrisë, në vitin që vjen pritet të investojë në “E-kiosqe”, pasi një gjë e tillë është aprovuar në Projektligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2021.

Ky investim kapital kap vlerën e 10 mijë eurove.

Në bazë të Projektbuxhetit për vitin 2021 i cili është ende draft, Komuna e Vushtrrisë shpenzimet për investimet kapitale deri në fund të këtij viti pritet t’i ketë mbi 7.2 milionë euro ndërsa nga 2020-ta do të vazhdohen projektet në vlerën e mbi 3.3 milionë euro ndërsa projektet e reja kapitale për vitin 2021 do ta kenë vlerën e 404,600 eurove .

Ndryshe, në vitin 2016-të, edhe Komuna e Vushtrrisë kishte filluar për herë të parë të shërbime digjitale për qytetarët e kësaj komune. Të vendosura para godinës së komunës dhe objektit të qendrës së regjistrimit civil në shërbim të qytetarëve në 24 orë dhe cdo ditë të javës.

Për rikujtim, me datën 30 të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës, në krye kryeministrin Avdullah Hoti ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Në mbledhjen e Qeverisë, shefja e kuletës së shtetit, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se shpenzimet buxhetore do të jenë rreth 2.4 miliardë euro.

“Ekonomia për vitin 2021 pritet të rritet me 5.1%. Gjatë 2021 pritet një dinamikë më e shpejtë e investimeve publike. Gjatë vitit duhet të rifanciojme 162 milionë për borxhin aktual. Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të jenë rreth 2 milardë e 400 mijë euro. Shpenzimet për paga pritet te jenë 625 milionë euro”, citohet të ketë thënë ministrja Bajrami.