
Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com
Buxheti që u nda për autostradat dhe rrugët që presin fundin me vite
Për pesë projekte të mëdha infrastrukturore që janë zvarritur tash e disa vite, Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 70 milionë euro në kuadër të buxhetit për vitin 2023.
27 milionë euro janë ndarë nga buxheti i vitit 2023 për autostradën Prishtinë – Gjilan, 21 milionë për magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, 11 milionë për rrugën Dollc – Gjakovë, 6 milionë për magjistralen Prishtinë – Podujevë dhe 4 milionë për rrugën Kievë – Zahaq.
Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.
Një miliardë e 98 milionë euro janë ndarë për subvencione e transfere, 811 milionë në shpenzime kapitale, 745 milionë të tjera në kategorinë ‘ paga dhe mëditje’, dhe 493 milionë euro në mallra dhe shërbime. Buxheti për vitin e ardhshëm aktualisht është Komisionin për buxhetët dhe më pas pritet të votohet edhe në Kuvendin e Kosovës.
Autostrada Prishtinë – Gjilan
Autostrada Prishtinë- Gjilan kishte nisur punimet në vitin 2018 në kohën kur Ministria e Infrastrukturës udhëhiqej nga Pal Lekaj i AAK-së. Ky projekt ishte paraparë që të përfundonte në fund të vitit 2020.
Vlera e tenderit asokohe ishte 110 milionë euro.
Në shkurt të vitit 2020, Zyra Ligjore e Zyrës se Kryeministrit të Kosovës përmes opinionit ligjor kishte konstatuar se ishte e jashtëligjshme hapja e tenderit të Autostradës se Gjilanit.
Opinioni ligjor i kësaj zyre është që ky projekt i iniciuar, duhet të anulohet. Më pas atëkohë, ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku i LDK-së e kishte anuluar tenderin, por projekti thoshte së vazhdon.
Që nga ajo kohë kanë kaluar dy vite tjera, banorët e Gjilanit dhe rrethinës, vazhdojnë të ballafaqohen me kolona në trafik sa herë që ka ndonjë pengesë në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan.
Komuna e Gjilanit udhëhiqet nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje. Kryetari Alban Hyseni kur po kandidonte për të parin e kësaj komune kishte thënë se brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2 do të përfundojë autostrada Gjilan-Prishtinë.
“Autostrada Gjilan-Prishtinë do të përfundojë brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2. Unë po flas edhe në emër të asaj që kemi biseduar edhe me z. Kurti, me kryeministrin”, tha ai në “Debat Përnime”.
Më 14 tetor 2022, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu është pyetur në seancën e Kuvendit për datën e përfundimit të autostradës së Gjilanit.
Aliu ka thënë se në këtë pyetje dhe pyetje tjera që kanë të bëjnë me projekte infrastrukturore nuk mund të flas me data.
Ai ka shtuar se një shkaktar tjetër i vonesave në punë është edhe rritja e çmimeve.
“Në pyetjen e juaj dhe pyetjet që kanë të bëjnë më projektet infrastrukturore se kur do të përfundojnë është e vështirë të përgjigjemi me datë. Nuk mund të jap përgjigje për autostradën e Gjilanit, sepse ajo duhet të auditohet në hollësi. Në secilën metër të saj dalin probleme të reja që kanë origjinën që nga projekti, që nga shpronësimet që duhet të auditohen” – ka thënë ministri Aliu.
Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë
“Brenda 30 muajsh do të përfundojë autorruga Prishtinë – Mitrovicë ” – thoshte në vitin 2018 ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Pal Lekaj, për përfundimin e 35 kilometrave të mbetur të këtij projekti.
Qysh në vitin 2009 kishin filluar punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën. Mirëpo, edhe tash pas më shumë se një dekade punimet janë zvarritur e disa herë pati edhe shembje në pjesët ku ishte punuar.

Në vitin 2013, Ministria e Financave e udhëhequr nga ish-ministri Besim Beqaj, kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me zëvendëspresidentin e Fondit për Zhvillim të Mbretërisë Saudite, Mohammed A. Al-Jenaidel, për zgjerimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë.
I gjithë projekti sipas marrëveshjes do të kushtonte rreth 60 milionë dollarë dhe pritej të përfundonte dikur rreth vitit 2017. Probleme pati edhe me shpronësimin e pronave.
Për shkak të punimeve të papërfunduara qytetarët çdo ditë përballen me kolona të automjeteve.
Vonesa pati vetëm në rregullimin e shembjes së njërit segment rrugor në autostradën, Mitrovicë – Prishtinë, përkatësisht në afërsi të fshatit Mazgit.
Pas më shumë se një viti, në muajin gusht të vitit 2022, është lëshuar për qarkullim komplet rruga magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, një pjesë e të cilës ishte shembur në janar të vitit 2021.
Më 14 tetor 2022, KALLXO.com raportoi se pa kaluar 2 muaj prej kur u lirua për qarkullim, asfalti në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë ka nis të çahet përsëri.
Njëjtë edhe për këtë projekt, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu nuk kishte pranuar që të flas për data se kur mund të përfundoj kjo rrugë, kur ishte pyetur në kuvendin e Kosovës më 14 tetor 2022.
Rruga Dollc – Gjakovë
Më 15 mars 2019, nisën punimet në zgjerimin e rrugës Dollc-Gjakovë, segmenti i parë, me gjatësi rreth 5 kilometra dhe që pati kosto mbi 4 milionë euro.
Në ditën e inagurimit të punimeve, ish-ministri Pal Lekaj tha se kjo rrugë në total ka gjatësi prej 31 kilometrave dhe kosto e përgjithshme e saj është 57 milionë euro.
Kjo rrugë pritet të bëhet me katër korsi si dhe me infrastrukturën përcjellëse sipas standardeve të parapara për këtë kategori rrugësh.
Gjendja aktuale e rrugës në pjesët ku vetëm është bërë zgjerimi, vështirëson qarkullimin e qytetarëve me automjete.
Ky projekt, sipas buxhetit të vitit 2023 është në mesin e tre projekteve infrastruktureve me më së shumti buxhet – me gjithsej 11 milionë euro.
Magjistralja Prishtinë – Podujevë
Kanë kaluar gati 5 vite që kur është përuruar projekti për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë por ajo ende nuk ka përfunduar. Zgjerimi i kësaj rruge ka filluar në kohën kur kryetar i Komunës së Podujevës ka qenë Agim Veliu dhe ministër i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.
Në rrugën Prishtinë- Podujevë për shkak të mospërfundimit të punimeve shpesh shkaktohen kolona të shumta dhe me raste edhe aksidente.
Punimet në këtë rrugë kishin vazhduar edhe gjatë mandatit të ministri Pal Lekaj. Më 3 tetor të vitit 2018 është bërë asfaltimin e segmentit të katërt të kësaj rruge.
Për përfundimin e saj ishin dhënë disa herë afate kohore.
Më 23 korrik 2021, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte thënë se po asfaltohej shtresa e parë në projektin “Ndërtimi i rrugës nacionale N25, segmenti Besi – Podujevë, Llot 4”.
“Mision e kemi që sa më parë të përfundohen projektet që janë zvarritur me vite të tëra”, kishte shkruar Durmishi në Facebook.
Ndërkohë, më 11 gusht 2021, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka premtuar se punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë do të përfundojnë këtë vit [2021].
“Rruga Prishtinë – Podujevë do të përfundojë këtë vit” – ka thënë ministri Aliu në emisionin KallxoPernime.
Më 2 nëntor 2021, kryeministri Albin Kurti thoshte se punimet do të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm – 2022.
“Jemi këtë së bashku me kryetarin Bulliqi, të konstatojmë një zvarritje, përveç që është e dëmshme, është edhe e paarsyeshme, teksa sektori dy do të përfundojë deri në fund të vitit 2021, ndërsa në vitin 2022 ne zotohemi që do të përmbyllim punimet dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme, në këtë mënyrë që kjo rrugë që e lidh llapin me kryeqytetin të jetë e përfunduar, dhe njerëzit të mos kenë më vështirësi në këtë trafik kaq të dendur, sikur të ishte në mes të Prishtinës” – kishte deklaruar kryeministri Kurti nga një takim që kishte pasur në Komunën që udhëhiqet nga partia e tij.
Në gusht të këtij viti, në një intervistë, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ishte shprehur se tashmë janë kryer disa procedura kryesore, si ajo e shpronësimit, për punimet në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë.
Tash për përfundimin e kësaj rruge janë ndarë 6 milionë nga buxheti i vitit 2023.
Rruga Kievë – Zahaq
Janë bërë mbi dhjetë vjet që kur ka nisur zgjerimi i magjistrales Prishtinë-Pejë dhe ajo ende nuk ka përfunduar.
Rruga nga kryeqyteti deri në fshatin Kijevë është e përfunduar, mirëpo pjesa tjetër deri në Zahaq [Pejë], për t’u kompletuar kështu magjistralja, nuk dihet se kur do të përfundojë. Ky projekt i autostradës Kijevë – Zahaq kapte shumën 238 milionë euro, dhe parashihet të përfundonte për 36 muaj.
Një milion euro grant kishte marrë Qeveria e Kosovës më 17 janar 2019 për implementimin e projektit të autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq.
Paraprakisht në fundit të vitit 2017, Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënshkruan marrëveshjen për hua për ndërtimin e autostradës Kijevë – Zahaq. Vlera e kësaj marrëveshje ishte 71 milionë euro.
Në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e kësaj autostrade.
Në gusht të vitit 2021, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka paraqitur disa të gjetura që sipas tij bëhet fjalë për keqpërdorime gjatë qeverisjes Haradinaj në projektin e autostradës Prishtinë-Pejë, saktësisht për 16 zona kadastrale.
Ai pretendonte se Qeveria Haradinaj rriti për 12 milionë euro vlerën për rrugën Prishtinë-Pejë. Ish-kryeministri Haradinaj, ka thënë se këto etiketimet e ulëta nuk e shpëtojnë as Hekuran Muratin e as Albin Kurtin, nga siç ka thënë ai: dështimet e njëpasnjëshme.
Ndërkaq, ministri Liburn Aliu në tetor të 2021 kishte thënë se kjo rrugë do të vazhdojë, por se do të ndalen keqpërdorimet rreth shpronësimeve në këtë projekt.
“Projekti i kësaj rruge nuk ndalet. Ndalet vetëm hajnia dhe keqpërdorimet e parasë publike në shpronësim. Pra, është anuluar vetëm shpronësimi abuziv i cili kthehet në rivlerësim. Po ashtu, në vitin që vjen, është përfshirë në buxhet hartimi i projektit për modernizimin e hekurudhës Prishtinë-Pejë dhe Prizren-Klinë. Rruga Prizren-Tetovë nuk është konkurrente e rrugës Prishtinë-Pejë”- kishte thënë Aliu.