Heqja e borës nga rrugët e Gjilanit - Foto: Komuna e Gjilanit

Buxheti që ndanë komunat për mirëmbajtje të rrugëve për vitin 2019/2020

Sezoni dimëror për mirëmbajtje të rrugëve dhe trotuareve fillon më 15 nëntor e mbaron më 31 mars.

Nga Ministria e Infrastukturës dhe Transportit thuhet se ata kanë për detyrë vetëm mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale, autostradave dhe atyre rajonale, kurse ato lokale janë në përgjegjësi të komunave përkatëse.

Në një deklaratë të publikuar nga kjo Ministri jepen detaje për këtë çështje.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se 17 kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje të rrugëve në sezonin dimëror (14 për 7 regjionet e Kosovës dhe 3 kompani për autostrada), janë të gatshme me makineri dhe sasi të bollshme të kripës, që nga data 15 nëntor.

Kompanitë do të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë, deri me datën 31 mars kur edhe përfundon sezoni dimëror i mirëmbajtjes së rrugëve dhe varësisht nga reshjet, data përmbyllëse mund të shtyhet.

Ju rikujtojmë se MIT është përgjegjëse vetëm për rrugët rajonale, nacionale, magjistralet dhe autostradat, ndërsa ato lokale mbeten në përgjegjësi të komunave.

Lusim qytetarët që të jenë të pajisur me goma dimërore e zinxhirë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike, duke respektuar rregullat e komunikacionit.” thuhet në njoftim.

Nexhmi Mekolli nga Zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës për Kallxo.com  tha se Komuna ka gjashtë kontrata të nënshkruara për këtë vit.

1. Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve të qytetit, debllokimi i kanalizimit atmosferik – Loto 1 – vlera e kontratës  është 261.722,50 euro për 36 muaj, OE “Dardania” Prishtinë.

2. Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve të qytetit , debllokimi i kanalizimit atmosferik – Loto 2 – vlera e kontratës  është  245.418,44 euro  për 36 muaj, OE “El Bau” Gjilan.

3. Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve të qytetit , debllokimi i kanalizimit atmosferik – Loto 3 – vlera e kontratës  është 409.969, 38 euro  për 36 muaj, OE “Toifor” Prishtinë.

4. Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve të qytetit, debllokimi i kanalizimit atmosferik – Loto 4 – vlera e kontratës  është 194.391,28 euro  për 36 muaj, “Niti –N & Milenium Construction” Prishtinë.

5. Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve të qytetit, debllokimi i kanalizimit atmosferik – Loto 5 – vlera e kontratës  është 213.680,72 euro  për 36 muaj, “Zahiri” Prishtinë.

6. Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve të qytetit , debllokimi i kanalizimit atmosferik – Loto 6 – vlera e kontratës  është 257.543,06 euro  për 36 muaj, “Ve mor” Pejë.

Krenare Koqi, shefe e kabinetit në Komunën e Prizrenit deklaroi se buxheti i ndarë për realizmin e projektit për mirëmbajtje për vitin 2019 është 900.000,00€.

Drejtoria e Shërbimeve Publike, bazuar në përvojat dhe kërkesat  e shumta nga qytetarët në këtë kontratë ka zgjeruar rrjetin e shërbimit të mirëmbajtjes së rrugëve brenda zonës së komunës.

Zgjerimi është bërë në tri LOT-e, duke përfshirë rrugë të cilat kanë frekuentim më të madh, po ashtu është bërë klasifikimi i rrugëve në tri kategori të mirëmbajtjes.

Ndryshimi nga viti i kaluar është zgjerimi, klasifikimi dhe shtimi i disa aktiviteteve të mirëmbajtjes.

Komuna e Ferizajit ka po ashtu kontratë 36 muajshe për mirëmbajtje të rrugëve e do të jetë e ndarë në gjashtë llote.

Loti 1 kap vlerën prej 133,932.00 me kohëzgjatje 36 muaj, ku shërbimet do i kryejë grupi i operatorëve ekonomikë “Murseli” SHPK & “Grand Construction”, “Alko Impex General Construction” dhe NNSH “VAAKAL” nga Kaçaniku.

Loti 2 ka vlerë 156,996.00 euro, shërbimet do kryhen nga N.T. “Rahovica Company” & “Europa Partners” Shpk.

Loti 3 ka vlerë prej 78,854.40euro, kompania N.P.SH. “Mbrojtja e Ambientit” nga Ferizaj.

Loti 4 ka vlerë 91, 371.44 euro, e do të kryhet nga “VIA” SHPK & N.T.P “EUROKOS”.

Loti 5 ka vlerë prej, 107,817,33 euro me kompanitë shërbyese KRM “Pastërtia” &  “ANUAR” nga Ferizaj.

Loti 6 ka vlerë prej 156,996.00 euro, me kompanitë N.T “Rahovica Company” & “Europa partners” SHPK.

Komuna e Mitrovicës për vitin 2019 për mirëmbajtjen e rrugëve (mirëmbajtja verore dhe dimërore) ka të planifikuar shumën prej 250 mijë euro.

Kompania e përzgjedhur është “UNITETI” SH.A Mitrovica, me ç’ rast mirëmbajtja verore bëhet sipas dinamikës së paraparë, ku rrugët e qytetit fshihen dhe pastrohen ujëmbledhëset, rigollat, po ashtu edhe rrëshqitjet e dheut në viset rurale.

Ndërsa sa i përket mirëmbajtjes dimërore ka shumë vite që të gjitha rrugët dhe rrugicat janë ndarë në llote dhe asnjë lokalitet nuk është lënë pa u futur në pastrim bore në tërë hapësirat dhe lokalitetet.

Të gjitha rrugët dhe rrugicat në tërë territorin e Mitrovicës pastrohen dhe mirëmbahen vazhdimisht dhe nuk ka shumë ndryshime nga vitet e më hershme sa i përket mirëmbajtjes.

Donika Grezda, zyrtare në Komunën e Gjakovës deklaroi se sipas informacioneve nga Zyra e Prokurimit në Komunën e Gjakovës, Loti i parë për rrugët rurale ka përfunduar. Ndërsa, Loti i dytë për rrugët në pjesën urbane është në fazë të rishqyrtimit, për shkak të një ankese, e cila procedurë do të përfundojë brenda pak ditësh.

Xhevahire Çeku- Kelmendi nga Drejtoria për punë komunale në Komunën e Pejës deklaroi se Komuna e Pejës ka ndarë rreth 110.000,00 euro me kohëzgjatje 12 muaj për mirëmbajtje të rrugëve rurale të fshatrave të Rugovës, kjo për shkak të pikave turistike që janë në këto zona, kurse për qytetin janë ndarë 60.000 euro.

Drejtori për Shërbime Publike, Naser Korça, në Komunën e Gjilanit thotë se janë ndarë rreth 70.000 mijë euro për mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve gjatë dimrit. Kompania fituese që do kryejë këto shërbime është ” Conex Group ” SH.P.K.; ” Ve – Mor”.