Kabineti i Qeverisë së re të Kosovës - Foto: Albin Kurti/ Facebook

Buxheti për zgjedhjet në Podujevë, ndarja e parë e qeverisë Kurti

Një propozim i Ministrit të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, që Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të mos u aprovohen mëditjet e kërkuara për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të komunës së Podujevës.

Për zgjedhjet që do të mbahen më 15 mars, KQZ kishte kërkuar nga qeveria 510 mijë euro por për ministrin Bislimi që vjen nga vetëvendosje kjo kërkesë është “skandaloze”.

“Kërkesa e KQZ-së e datës 14 shkurt, ka të bëjë me zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kërkesa e KQZ-së bashkë me kërkesën e PZAP mbërrin shumën e 510 mijë eurove. Ne si ministri jemi shokuar me nivelin e profesionalizmit të KQZ-së”, tha Besnik Bislimi në mbledhjen e qeverisë.

“Zgjedhjet janë për një komunë për një kryetar dhe kërkesa për paga dhe mëditje është për 60% mëditje shtesë është e paligjshme dhe e pakuptueshme për nivelin e punëve”, tha ai.

Bislimi tha se “autonomia e KQZ-së nuk duhet të tregohet në zhvatjen e buxhetit dhe për t’i pasuruar anëtarët e KQZ-së”.

“Duhet të tregohet që paraja publike nuk duhet të shpenzohet si plaçkë publike, duhet të refuzohet kërkesa e PZAP për mëditje, ndërsa e KQZ-së duke të aprovohet vetëm ajo për mallra dhe shërbime dhe jo për paga dhe mëditje”, tha ai.

Ndaj deklaratës së Bislimit reagoi zëvendëskryeministri Avdullah Hoti që vjen nga LDK.

Ai kërkoi kujdes nga ministri në kualifikime.

“KQZ është i pavarur nga qeveria dhe kryen një funksion kushtetues… por duhet të kujdesemi që çdo cent që ndahet nga Qeveria të shpenzohet,” tha Hoti.

Kur kryeministri Albin Kurti e hodhi këtë propozim në votim, propozimi u miratua por votat u ndanë në bazë të përkatësisë partiake të anëtarëve të kabinetit me përfaqësues të Vetëvendosjes që votuan ‘për’ ndërsa ata të LDK-së që ‘abstenuan’.