Prezantimi i buxhetit për vitin 2023 në Komunën e Gjakovës. FOTO: Zyra e Kryeministrit.

Buxheti për vitin 2023, Kurti me ministra në Gjakovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, sot para qytetarëve të komunës së Gjakovës prezantuan buxhetin për vitin 2023.

Sipas njoftimit, rreth 100 milionë euro më shumë se këtë vit, parashihet të jetë buxheti për komunat e Republikës së Kosovës dhe më shumë se vitin e kaluar është planifikuar të jetë edhe buxheti për Komunën e Gjakovës, i cili pritet të arrijë vlerën prej 31,558,422 euro.

“Duke qenë buxheti më i larti dhe më gjithëpërfshirësi ndonjëherë, ai tha se gjatë hartimit të tij, Qeveria është siguruar që ky buxhet të jetë më shumë për të gjithë. Përpos që më shumë për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë, buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë më shumë edhe për komunat” – thuhet në njoftimin e bërë nga Zyra e Kryeministrit.

Sipas këtij njoftimi, për vitin e ardhshëm Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ndarë 11 milionë euro për zgjerimin e rrugës Dollc-Gjakovë, derisa mbi 2.5 milionë euro janë planifikuar në fushën e arsimit nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe 1 milion tjera në fushën e sportit, kulturës dhe trashëgimisë, nga ministria përkatëse.

“Pas prezantimeve fillestare, kryeministri Kurti së bashku me ministrin Murati dhe ministrin Krasniqi patën rastin të bashkëbisedojnë me qytetarët, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe komenteve tyre mbi ndarjet buxhetore dhe projektet për vitin tjetër” – është thënë tutje në njoftim.

Me 29 nëntor u bë e ditur se buxheti i Kosovës për vitin 2023 do jetë 3,2 miliardë euro.

Përmes një njoftimi, Lëvizja Vetëvendosje theksoi se shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritet i qeverisë.

Për sektorin e shëndetësisë janë ndarë 296 milionë euro ku pritet edhe shtim i stafit mjekësor.

Në arsim është paraparë ndërtimi i kopshteve për fëmijë si dhe shtim stafi për asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara.

Kurse, për ushtrinë qeveria ka ndarë 123 milionë euro nga buxheti i vitit 2023.