Foto: Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK), Facebook

Buxheti për shërim jashtë vendit rritet, pavarësisht rënies së referimeve

Megjithëse, gjatë vitit 2024 u promovuan disa shërbime të reja në sistemin publik shëndetësor, buxheti për trajtime jashtë institucioneve publike shëndetësore është rritur për vitin 2025.

Nga 8 milionë euro sa i dedikoheshin këtyre trajtimeve gjatë vitit 2024, 10 milionë sosh janë ndarë për vitin e ardhshëm. Ndërsa, buxheti i plotë për shëndetësi për vitin 2025 do të jetë mbi 75.3 milionë, rreth 2.8 milionë euro më shumë se sa vitin paraprak.

Programi i trajtimit jashtë institucioneve publike shëndetësore parasheh subvencionimin e pacientëve për shërime kryesisht jashtë vendit apo në institucione private shëndetësore në Kosovë.

“Shërbime të reja që ulin referimin jashtë vendit”, “Pajisje të reja mjekësore – trajtim brenda vendit pa kosto për pacientët”, e fjali të ngjashme janë parë disa herë në postimet e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sa herë që, klinikat furnizoheshin me pajisje të reja, Ministri thoshte se kjo do të ulë referimet jashtë vendit dhe do të kursejë buxhetin e shtetit.

Pajisjet e shërbimet e reja si ultrazëri endoskopik, SPET CT, operime të tumoreve e aneurizmave në Neurokirurgji, procedura mini-invazive VATS e renovimet e klinikave ishin disa prej rasteve që Ministri shfrytëzoi për të thënë këtë.

Ministria e Shëndetësisë thotë se trendi i referimeve është zvogëluar dukshëm, por buxheti që ishte ndarë për këtë vit ishte i pamjaftueshëm në raport me kërkesat e pacientëve.

Për të ilustruar rënien e referimeve, Ministria ofroi të dhënat e viteve 2019 dhe 2023. Në vitin 2019 ishin 1 mijë e 426 referime, ndërsa në vitin 2023 ishin 1 mijë e 46 sosh. Pra, për 4 vjet u regjistruan 380 raste më pak.

“Edhe përkundër faktit se trendi i referimeve është zvogëluar dukshëm në krahasim me vitet paraprake (nga 1426 referime në vitin 2019, në 1046 referime në vitin  2023), buxheti i alokuar për programin për TMJISHP, për vitin 2024 është i pamjaftueshëm në raport me kërkesat e pacientëve për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore.” – thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ministria e Shëndetësisë tha se buxheti për këtë vit nuk është shpenzuar ende plotësisht, por duke marrë parasysh kërkesat që janë në pritje për shqyrtim është parë nevoja e domosdoshme për buxhet shtesë.

Procedurat për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore janë të rregulluara përmes Udhëzimit Administrativ 03/2023.

Ky Udhëzim ka të caktuara sëmundjet dhe procedurat për të cilat Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) ofron mbështetjen financiare. Përveç tyre, Fondi mbulon edhe rastet kur diagnozat e referuara nga Klinikat nuk ofrohen në sistemin publik.

“Gjithashtu, Fondi ofron mbështetje në rastet kur Diagnoza e referuar nga Klinika përkatëse në SHSKUK përmes Raportit Konziliar nuk ofrohet në Institucionet Shëndetësore Publike.” – tha Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për KALLXO.com.

Ky program në kuadër të Fondit është përcjellë me shumë probleme, shkelje e borxhe ndër vite. Këto shkelje ishin evidentuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), e cila kishte gjetur raste kur janë mbështetur diagnozat, që s’kanë qenë pjesë e Udhëzimit Administrativ apo diagnoza që kanë mundur të shërohen në Kosovë.

Rezultatet e auditimit, të publikuar në vitin 2023, tregonin se menaxhimi nuk ishte efektiv e se trajtimi i pacientëve ishte i pabarabartë.

Gjatë atij viti, Fondi kishte grumbulluar rreth 30 milionë euro borxhe, për të cilat Qeveria e Kosovës kishte ndarë 15 milionë euro për t’i shlyer.