Gjakova: Foto: Atdhe Mulla

Buxheti i vitit 2020, projektet që do të financohen në Komunën e Gjakovës

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, Kuvendi i  Kosovës me 63 vota pro, miratoi Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

Në total, buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, për vitin 2020 ka paraparë investime nga buxheti qendror për Komunën e Gjakovës rreth 9 milionë euro.

Kurse, buxheti total i Komunës së Gjakovës për vitin 2020 është rreth 27 milionë euro.

Gjithsej 33 projekte janë planifikuar të investohen në këtë komunë, ndërsa shumica e projekteve janë bartur nga buxheti i vitit të kaluar.

Investimet në infrastrukturën rrugore

Nga 33 projekte, 9 prej tyre janë të infrastrukturës rrugore.

Gjatë vitit 2020, parashihet që të bëhet zgjerimi i rrugës Dollc – Gjakovë, në vlerë prej 1 milionë e 500 mijë eurove, që bartet nga buxheti i vitit të kaluar. Ndërtimi i qarkores së Gjakovës, 800 mijë euro. Riparimi i rrugës rajonale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë në vlerë prej 700 mijë eurove.

Asfaltimi i rrugës Dol-Kusar-Goden, në vlerë prej 117 mijë e 542 eurove.

Rehabilitimi i rrugës ‘Muharrem Domi’, 137 mijë e 951 eurove. Ndërtim i rrugës ‘Ramahmat’, 81 mijë e 500 euro. Ndërtimi i rrugës Dol-Lipovec, 100 mijë euro.

Pastrimi i ambientit dhe rregullimi i stazës për këmbësor dhe biçikleta me ndriqim dhe pushimore prej rrugës regjionale Klinë – Gjakovë, deri te Ujëvara e Mirushës, në vlerë prej 200 mijë, gjithashtu vazhdim nga buxheti 2019.

Rregullimi i shtratit te lumit Krena, në vlerë prej 250 mijë eurove, po ashtu vazhdim nga 2019.

Investimet në Arsim

Qeveria  në buxhetin e vitit 2020, ka parashikuar investim në Universitetin e Gjakovës në vlerë prej 650 mijë eurove, ku prej tyre 70 mijë janë shtuar, ndërsa 580 mijë euro janë vazhdim nga viti 2019.

Investime tjera janë paraparë edhe në ndërtimin e shkollave. 100 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e sallës së edukatës fizikën në shkollën ‘Haxhi Hoti’ të fshatit Rugovë.

Ndërtimi i shkollës në Demjan, në vlerë prej 168 mijë eurove.

Ndërtimi i Poligonit Sportiv për Shkollën Fillore e Mesme e Ulët ‘8 Dëshmorët’ në  Kralan në vlerë prej 20 mijë eurove.

Dhe ndërtimi i shkollës fillore në Ponoshec, 38 mijë euro, vazhdim nga buxheti i vitit 2019.

Investimet në Shëndetësi

450 mijë euro janë paraparë për Komunën e Gjakovës në sektorin e Shëndetësisë, nga niveli qendror.

250 mijë euro janë paraparë për renovimin dhe rivitalizimin e Objektit të Kirugjisë në Spitalin e Gjakovës dhe 200 mijë euro të tjera për ndërtimin e ndërtesës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Gjakovës.

Kultura

Në sektorin e Kulturës janë paraparë 190 mijë euro investime.

Për Çarshinë e Gjakovës, janë ndarë 50 mijë euro, për Shtëpinë tradicionale ‘Ryshyt Këpuska’, 40 mijë euro. Shtëpia e ‘Nimon Ferizit’, 30 mijë euro. Muzeu Etnografik, 20 mijë euro. Kulla e ‘Sylejman Vokshit’, 50 mijë euro.

Dhe  Qendra e Kulturës në Rogovë të Hasit,50 mijë euro , vazhdim nga buxheti i vitit 2019.

Sporti

Në sport janë parashikuar investime deri në 550 mijë euro, për Komunën e Gjakovës.

Në këto investime përfshihet ndërtimi i kompleksit të Tenisit, 250 mijë euro, renovimi i Stadiumit të Qytetit, 200 mijë euro, si dhe Qendra Rekreative Rinore në fshatin Pjetërshan, 100 mijë euro.

Të trija këto projekte janë të vazhduara nga buxheti i vitit 2019.

Investime të tjera

Investime të tjera janë paraparë edhe për kanalizime, ujësjellës dhe komplekse memorialë e rregullime të shtrateve të lumenjve.

200 mijë euro janë parashikuar për përfundimin e punimeve të ujësjellësit për 28 fshatra në Komunën e Gjakovës, projekt ky i vazhduar nga buxheti i vitit 2019.

Dizajnimi dhe ndërtimi i aneksit të Gjykatës Themelore, 190 mijë euro.

Kompleksi Memorial ‘Shtabi dhe Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së, fshati Shqiponjë, 150 mijë euro. Kompleksi Memorial ’27 Prilli’ Mejë, 213 mijë euro. Ndërtimi i Memorialit në Nivokaz, 30 mijë euro. Rekonstruimi i Lapidarit në fshatin Hereq, 30 mijë euro.

Rregullimi i shtratit të lumit Krena, 250 mijë euro, po ashtu vazhdim nga viti 2019.

Projekti i kanalit kryesor të ujërave të zeza dhe atmosferike në Dardani,   95 mijë euro.

Dhe ndërrimi i gypave të azbestit – çimentos në qytetin e Gjakovës, 1 milion e 815 mijë euro, edhe ky projekt i vazhduar nga buxheti i vitit 2019.