MKRS. Foto: Isa Vatovci/KALLXO.com.

Buxheti i MKRS-së për 2025, mbi 1 milion e 700 mijë euro më pak se në 2024-tën

Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 21.11.2024 buxhetin për vitin 2025 në vlerë prej 3.6 miliardë euro.

Prej këtij buxheti, mbi 86 milionë euro janë ndarë për Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Edhe pse buxheti i përgjithshëm i Kosovës  për 2025 është 9 për qind më i lartë se buxheti i këtij vitit-2024, për MKRS-në është ndarë  buxhet më pak se vitin që vjen – 2025. MKRS për 2024 kishte në dispozicion një buxhet prej 88 milionë e 118 mijë euro, ndërsa për 2025-ën do të ketë 1 milion e 719 mijë euro më pak. Pra për MKRS-në është ndarë një buxhet prej 86 milionë e 399 mijë euro.

Për sektorin – programin e Kulturës për 2025 është ndarë një buxhet prej 25,370,232.00 euro. Për përkrahjen e institucioneve për kulturën për janë ndarë 209,446,753.00 euro. Ndërsa për investime kapitale në këtë sektor janë ndarë 10,505,000.00 euro.

MKSR ka paraparë të investojë në 20 projekte kapitale, ku në përgjithësi mjetet dedikuara këtyre projekteve janë mjete të pa harxhuara – apo të bartura nga 2024 për në 2025-tën.

Për renovimin e Teatrit Kombëtar për 2025 janë paraparë 3,000,000.00 euro, për Muzeun e Artit Bashkëkohor 500,000.00 euro, për renovimin e Galerisë Kombëtare 500,000.00 euro, kurse për objektin e Teatrit dhe Operas “Dr. Ibrahim Rugova” janë paraparë 200,000.00 euro. 500,000.00 euro MKRS ka paraparë të mbështesë rindërtimin dhe restaurimin e Qendrës Multikulturore “Gërmia” në Prishtinë.

Për sektorin e Trashëgimisë Kulturore për 2025-tën janë paraparë 18,784,283.00 euro. Kurse për Agjencinë për menaxhimin e komplekseve memoriale janë paraparë të ndahen 1,639,429.00 euro.

Një pjesë e mirë e këtyre mjeteve do të shkojë në projekte kapitale, me mjete kryesisht të bartura nga ky vit për në 2025-tën.

Për Kompleksin memorial ,,Adem Jashari” në Prekaz – Skenderaj, do të ndahen 3,000,000.00 euro, ndërsa për Kompleksin Memorial “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së – Zona Operative e Dukagjinit” Gllogjan – Deçan 500,000.00 euro. 400,000.00 janë paraparë të ndahen për Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut ” në Reçak – Shtime.

MKRS për 2025 ka paraparë mjete edhe për restaurimin e Hotel “Jadran”, për të cilin do të ndajë 100,000.00 euro, restaurimin e një shtëpie banimi me numër unik 4033 në Podujevë në vlerë prej 50,000.00 eurove, e për shtëpinë e Xhafer Devës në vlerë prej 100,000.00 euro. Ministria ka paraparë të ndajë 250,000.00 euro për Muzeun e Luftës në Prishtinë.

Për sport MKRS ka paraparë një prej buxhet 28,291,144.00 euro për 2025, kurse për fushën e rinisë 275,319.00 euro

Këtë vit MKRS ka paraparë të ndajë 600,000.00 euro për Rabatin, i cili sipas Ligjit për Kinematografi do t`u mundësojë rimbursim në vlerë deri në 30% të shumës së shpenzuar kompanive që vendosin që filmat e tyre t`i xhirojnë në Kosovë.