Buxheti 2020 - Qeveria ndau 400 mijë euro për mbikalimin në Veternik të Prishtinës

Në buxhetin e miratuar për vitin 2020, është parashikuar edhe projekti për ndërtimin e mbikalimit në lagjen ‘Veternik’ të Prishtinës.

Për këtë projekt janë ndarë 400 mijë euro nga buxheti dhe shuma është e bartur nga buxheti i vitit të kaluar.

Po ashtu, për të njëjtin projekt janë parashikuar edhe 400 mijë euro të tjera, që të ndahen në buxhetin e vitit 2021, ndërsa sipas të dhënave të publikuara në buxhet, projekti pritet në total të kushtojë 1 milion e 200 mijë euro.

Në total, buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro.

Qeveria e Kosovës, për vitin 2020 ka paraparë investime nga buxheti qendror për Komunën e Prishtinës rreth 74 milionë euro.

Kurse, buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2020 është rreth 90 milionë euro. Gjithsej 28 projekte janë paraparë për Komunën e Prishtinës, nga niveli qendror, kurse shumica e projekteve janë të bartura nga viti i kaluar.

Buxheti për këtë vit është miratuar në orët e hershme të mëngjesit të 15 marsit.