Burri rrahu gruan për gati një vjet, gjykata e dënon me 500 euro gjobë

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar një burrë me 3 muaj burg dhe gjobë 200 euro për dhunë të vazhdueshme ndaj gruas së tij.

Me pëlqimin e të dënuarit, dënimi me burg prej 3 muaj i zëvendësohet me dënim me gjobë prej 300 euro, ashtu që i njëjti detyrohet të paguaj shumën e përgjithshme të gjobës në vlerë 500 euro. Të njëjtën detyrohet ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, nga dita kur ky aktgjykim të merr formën e prerë.

Në vendimin e Gjykatës së Prishtinës, të datës 15 maj 2023, thuhet se në vazhdimësi nga muaji tetor i vitit 2021 deri në maj të vitit 2022, në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri B. H., me dashje dhe me qëllim të cenimit të dinjitetit në marrëdhënie familjare ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij M. H..

Ashtu që i pandehuri i ka thënë të dëmtuarës “ti je budallicë, maxhupe, ti je kurvë, ti ke mu bo kurvë si nëna jote”.

Përderisa e dëmtuara i ka shërbyer kafe të pandehurit dhe xhaxhait të saj në oborr, e ka pyetur të pandehurin “a mund të shkoj të babai im me ia rregullu varrin motrës sime”.

“Atëherë i pandehuri është nervozuar, e ka kapur tabllën me filxhana të kafes dhe e ka hedhur përpjetë duke i gjuajtur në tokë, e dëmtuara nuk ka folur asgjë pasi që e dinte se nëse fol diçka i pandehuri do
ta rrahë, ka shkuar në shtëpi, pas saj ka shkuar i pandehuri në shtëpi” – thuhet në vendim.

Më tej thuhet se i njëjti me dashje ka filluar ta sulmojë të dëmtuarën duke e goditur disa herë me shuplaka në fytyrë dhe në kokë dhe duke ia kapur flokët, me ç ‘rast të dëmtuarës i ka shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë.

Në vendim po ashtu tregohet se nga dëshmia e dëshmitarit: Xh. F., është vërtetuar se, ky dëshmitar ka qenë prezent në momentin kur i pandehuri i është drejtuar vajzës së tij me fjalët “kam me ta sjellë punën mera në konop”, fakt ky i vërtetuar në procesverbalin e datës 17 mars 2023.

Po shtu thuhet se nga dëshmia e dëshmitarit: A. F., vërtetohet se, në disa raste kishte qenë prezent kur i pandehuri ndaj të dëmtuarës kishte përdorur dhunë fizike dhe psiqike, me qëllim të cenimit të dinjitetit të saj.

Edhe mbrojtja e të pandehurit e ka pranuar se kah muaji tetor 2021 kishte pasur mosmarrëveshje me të dëmtuarën, të cilës dy herë kishte tentuar t’ia marr telefonin nga dora për shkak të një thirrje telefonike dhe, pasi në dorë kishte unazën e martesës, duke e tërhequr telefonin e kishte goditur të dëmtuarën në pjesën e syrit të majtë.

“Fakt që vërtetohet nga fotografia që vetë e dëmtuara e kishte sjellë si dëshmi dhe, e cila në cilësi të provës ndërlidhet me dëshminë e vetë të dëmtuarës, deklarimin e të pandehurit dhe, si e tillë vërteton prezencën e dhunës fizike që i pandehuri ka ushtruar ndaj të dëmtuarës” – vazhdon arsyetimi i vendimit.

I pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë për veprën e kryer.