Ilustrim

Burri raporton në Polici se përmes rrjeteve sociale është kanosur nga ish-bashkëshortja

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë raportuar katër raste të dhunës në familje, një prej të cilave ka qenë dhunë fizike, një tjetër dhunë psikike, teksa dy raste të tjera kanosje përmes rrjeteve sociale.

Njëri nga rastet raportohet të ketë ndodhur në Mitrovicën e Veriut, ku sipas PK-së një burrë në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

“Me vendim të prokurorit, i dyshuari ndalet në ndalim policor dhe pas këndelljes do të intervistohet”, thuhet në njoftimin e policisë.

Një tjetër rast është raportuar në Pejë ku një burrë dhe një grua janë arrestuar pasi kanë ushtruar dhunë psikike ndaj dy familjarëve të tyre. Sipas policisë, viktimat kanë marrë tretman mjekësor. “Me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje ndërsa tjetri është liruar”.

Sa i përket rasteve të kanosjes përmes rrjeteve sociale, njoftimi i PK-së bën të ditur se njëri nga rastet ka nodhur në kryeqytet.

“Një burrë ka raportuar se përmes rrjeteve sociale ishte kanosur nga ish-bashkëshortja e tij” thuhet në njoftim. Policia ka njoftuar se e dyshuara nuk është arritur të kontaktohet dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në rastin në Gjakovë viktimë e kanosjes përmes rrjeteve sociale raportohet të ketë qenë një grua që dyshohet se është kanosur nga ish-bashkëshorti i saj.

“Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e PK-së.