Burri i Vjosa Osmanit paralajmëron padi për shpifje ndaj Time Kadrijajt

Prindon Sadriu, bashkëshorti i ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani është kundërpërgjigjur ndaj kërkesës së deputetes së AAK-së për shkarkimin e tij nga posti “konsull në Shkup”.

Sadriu ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj deputetes Time Kadrijaj, pasi që sipas tij, nuk është e as që nuk ka qenë ndonjëherë konsull.

Ai thotë se është në mesin e gjashtë diplomatëve të parë të karrierës në Ministrinë e Punës së Jasthtme të punuar përmes konkursit në vitin 2008, kohë për të cilën thotë se ishte shumë vite para së të njohej me Vjosa Osmanin.

“Si Kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme duhet ta dini se Presidentja u.d., nuk emëron e as shkarkon diplomatë të nivelit tim, por vetëm Shefa të misioneve. Për fat të keq ju —dhe të tjerët si ju —ma keni mohuar mundësinë për të qenë Shef Misioni sepse nuk ju ka interesuar profesionalizmi në shërbimin e jashtëm…Duke përfshi përvojën në Kuvendin e Shqipërisë dhe Kongresin Amerikan kam gjithsejë 14 vite përvojë relevante në fushën e marrëdhënieve me jashtë, ndërsa 16 vite përvojë pune profesionale”, ka thënë Sadriu në rrjetin social “Facebook”.

Time Kadrijaj përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se Kosova po e pret shkarkimin edhe të burrit të saj, Prindon Sadriu. Deputetja pretendon se Sadriu qëndron gjithë kohës në Prishtinë, teksa merr pagën e konsullit në Shkup të Maqedonisë.

Kjo deklaratë erdhi pas vendimit të ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, për shfuqizimin e katër dekretëve për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

“Vjosë, Kosova po e pret shkarkimin e burrit tënd, i cili gjithë ditën rrin në Prishtinë por e merr pagën e konsullit në Shkup”, ka shkruar deputetja, të mërkurën.

Time Kadrijaj – Vjosa Osmanit: Kosova po e pret shkarkimin e burrit tënd