Shkolla "Mihal Grameno" në Fushë-Kosovë. Foto: Kallxo.com

Burri i sekretares së shkollës 'Mihal Grameno' del pozitiv me COVID-19, sekretarja ende s'u testua

Burri i sekretares së Shkollës Fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë ka rezultuar pozitiv me COVID-19, ditë më parë, kurse vetë sekretarja ende nuk është testuar.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në këtë komunë, Islam Shabani, i cili ka bërë të ditur se ajo ka pasur kontakte me stafin e shkollës.

“Kemi informacione se burri i saj ka dalur pozitiv, ndërsa sekretarja ende nuk e ka bërë testin. Për momentin nuk e dimë a është pozitiv apo negativ, ende nuk e ka bërë testin, por ne i kemi marrë masat paraprake sepse gjithçka është e mundur”, tha Shabani.

Ai shtoi se ka kërkuar nga drejtori i kësaj shkolle që sekretarja të mos shkojë në vendin e punës.

“E kam lutur drejtorin që ajo mos të sillet në shkollë, ti ikë takimeve me arsimtarë sepse ata kanë ndejtë me sekretaren edhe derisa të marrim rezultatin e testit. Ajo në shkollë ka qenë, me siguri ka pasur kontakte, por nuk e di s aka qenë kontakti i afërt dhe nuk mund të them diçka konkrete, ka mundësi të ketë pasur”, ka shtuar Shabani.

Aktualisht në vend janë shënuar 1756 raste me COVID-19, 968 persona të shëruar dhe 34 viktima.