Burri i prokurores Ervehe Gashi, deklarohet se ndihet i pafajshëm (VIDEO)

 

Bajram Gashi e Dardan Hoxha u deklaruan rreth fajësisë në seancën gjyqësore, ku akuzohen për ushtrim ndikimi.

Ndërsa i akuzuari, Rizan Hoxha, kishte pranuar fajësinë në Prokurori, njoftoi prokurori Dren Paca, duke shtuar se për të është veçuar procedura.

I akuzuari Bajram Gashi deklaroi se nuk ndihej fajtor për akuzat që e rëndojnë.

“Absolutisht jo, jam i pafajshëm”, tha bashkëshorti i prokurores së Prizrenit.

Ndërsa Dardan Hoxha, ishte kundër akuzave me pretendimet se i kishte ndihmuar drejtësisë dhe të njëjtën e mbështeti edhe mbrojtësi i tij, duke thënë që e gjithë akuza është bazuar në deklaratën e të mbrojturit të tij.

“I nderuar trup gjykues, e kuptova përse po akuzohem. Ndihem plotësisht i pafajshëm, sepse unë i ndihmova drejtësisë, bashkëpunova me organet e ndjekjes që të zbulohet ky rast kriminal”, tha Dardan Hoxha.

Në këtë rast penal, përpos Bajram Gashit bashkëshortit të prokurores Ervehe Gashi, akuzohen edhe Rizan dhe Dardan Hoxha.

Të tre akuzohen për ushtrim të ndikimit.

Sipas aktakuzës, Bajram Gashi burri i prokurores Ervehe Gashi, së bashku me Rizan Hoxhën kishin kërkuar nga Dardan Hoxha shumën prej 6,000 eurove me qëllim që të ndikonin tek prokurorja që i njëjti të mos akuzohej për të gjitha veprat penale për të cilat ishte duke u hetuar nga prokurorja Gashi.

Këto para sipas prokurorisë, janë kërkuar me qëllim që Bajrami të ushtronte ndikim te bashkëshortja e tij prokurore, e cila ishte duke zhvilluar procedurën penale kundër Dardan Hoxhës.

Akuzat rëndojnë edhe mbi Dardan Hoxhën. Ai sipas prokurorisë i kishte dhënë shumën prej 6,000 eurosh Rizan Hoxhës me qëllim që ky t’i dërgonte këto para te Bajrami për të ndikuar te prokurorja.

Në fillim të muajit prill #KallxoPernime publikoi hulumtimin që shfaqi dyshimet për njërën nga aferat e mëdha të keqpërdorimeve në rajonin e Prizrenit.

Këto dyshime u paraqitën pasi Dardan Hoxha denoncoi rastin në emisionin #KallxoPernime.

Dardani, një i dënuar për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, ka rrëfyer në emision se ka paguar mbi 5 mijë euro ryshfet, para këto të cilat, sipas tij, i janë kërkuar për të lehtësuar lëndën në Prokurorinë e Prizrenit.

Dosja e tij, sipas hulumtimit të KALLXO.com, ishte hetuar nga prokurorja Ervehe Gashi, ndërsa Dardani ka filmuar një moment kur i dorëzon rreth 5 mijë euro në dorë të Rizan Hoxhës, një mik i burrit të prokurores që po e hetonte rastin.

Pas dorëzimit të parave Dardani ka rrëfyer se babai i tij, Sadik Hoxha, ishte takuar me burrin e prokurores Ervehe Gashi në shtëpinë e vikendit të këtij të fundit.

Takimi kishte ndodhur në kohën kur prokurorja ishte duke e hetuar rastin dhe Sadik Hoxha ishte pjesë e hetimit penal në këtë dosje.

Sadik Hoxha ka rrëfyer se gjatë kohës kur ai ishte duke u hetuar ishte takuar dy herë me burrin e prokurores për të diskutuar për lëndën.

Pas transmetimit të hulumtimit nga #KALLXOPernime, kishte reaguar edhe Kryepokurori i Shtetit – LINK

 

Hulumtimi i KALLXOPernime – Burri i prokurores Ervehe Gashi sot pritet të dalë para gjykatës